Kosovë, Tahiri: Para anëtarësimit në BE, Serbia e di që duhet të njoh Kosovën

468
Duke reaguar në deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, se Serbia do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë për “Koha Ditore” se Kosova do të jetë anëtare e OKB-së, ndërsa Serbia e izoluar nga Perëndimi.
Ajo theksoi se përderisa Kosova dhe të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zgjedhur qartë drejtimin properëndimor dhe integrimet euroatlantike, Serbia ka mbetur në udhëkryq mes Perëndimit dhe Rusisë. Këto dilema diplomatike të Serbisë, siç u shpreh ajo, do ta lënë Serbinë të izoluar nga Perëndimi. Kosova do të ecë sigurt drejt BE-së, NATO-s dhe OKB-së.
“Kosova, edhe pse një shtet i ri, orientimet e saja dhe të gjithë kombit shqiptar janë tradicionalisht properëndimore. Kosova është pozicionuar qartë në anën e Aleancës Veriatlantike dhe politika e jashtme e Kosovës mbetet e qartë në përkrahje të politikave perëndimore ndaj zhvillimeve të fundit në planin e sigurisë ndërkombëtare, tendencave gjeopolitike nga vende joperëndimore dhe terrorizimit dhe radikalizmit ndërkombëtar”, ka thënë Tahiri.
Tahiri po ashtu theksoi se Serbia e di që do ta njohë pavarësinë e Kosovës para anëtarësimit në BE, sepse është e kushtëzuar me Kapitullin 35 nga ana e BE-së.
“Kapitulli 35 kërkon qartë nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, respektimin e marrëveshjeve të Brukselit, zhbërjen e strukturave paralele të saj në Kosovë dhe në fund të këtij procesi Serbia për të dëshmuar fqinjësinë e mirë do ta njohë pavarësinë e Kosovës, nëse vërtet aspiron anëtarësimin e vet në BE”, ka përfunduar Tahiri.
Marrë nga: Koha Ditore
Sigal