Kosovë, shtyhet seance për Gjykatë Speciale

456
Seanca e Kuvendit të Kosovës, e thirrur sot, për miratimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria, me të cilat i hapet rruga ligjore themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte është shtyrë për një ditë tjetër. Kjo me propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës, me arsyetimin se nuk është përkthyer ende drafti final i Ligjit për Gjykatën Speciale i negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Shtyrja e seancës është miratuar me 78 vota pro, 2 abstenime dhe një kundër. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk ka dhënë një datë se kur do të ketë seancë të re. Për miratimin e këtyre amendamenteve, janë të nevojshme votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e minoriteteve. Opozita tashmë është pozicionuar kundër themelimit të kësaj gjykate.
Në emër të PDK’së, Adem Grabovci, tha se pas konsultave me shefat e grupeve parlamentare, duhet të shtyhet seanca parlamentare për votimin e Gjykatës Speciale. “Propozojmë që për shkak të këtyre çështjeve teknike të shtyhet seanca”, tha Grabovci. Ndërkohë qindra protestuas janë mbledhur jashtë ambienteve të Kuvendit të Kosovës duke protestuar dhe kërkuar që ti thuhet jo miratimit të kësaj gjykate speciale.
Sigal