Sigal

Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur në qytetin e Istogut në Kosovë, ku një personi i cili tentoi të grabisë një bankë, ka qëlluar me armë drejt policisë, duke vrarë një prej tyre, ndërsa edhe ai vetë mbeti i vrarë gjatë këtij zjarri.

Mediat në Kosovë raportojnë se njëri nga viktimat është një polic dhe tjetri grabitësi. Polici i vrarë është I.D nga Istogu, ndërsa grabitësi që mbeti viktimë është K.M.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se polici i vrarë, kishte qenë bashkëluftëtar me komandantin Agim Ramadani në luftën e Kosovës.

“Mund të konfirmoj se ka ndodhur një vrasje në Istog, ku pas një përleshje me armë zjarri, dy persona kanë vdekur, njëri nga ta është një pjesëtar i Policisë së Kosovës”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Xhevat Ibraj.

Grabitësi ishte me precedentë të mëparshëm penal, pasi ka qenë i dënuar në Gjermani me 17 vite burg, ndërsa ishte kthyer në Kosovë para 3 vitesh.

Policia e Kosovës dyshon se në këtë tentativë grabitjeje mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë, e për këtë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Efektivi I.D. nga Istogu, është plagosur, por ndonëse i është dhënë ndihma e menjëhershme, ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Mediet kosovare kanë publikuar foton e grabitësit të vrarë, i cili shihet i shtrirë për tokë.