Kosovë: Qeveria përshëndet mbarëvajtjen e protestës

490
Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndet mbarëvajtjen e protestës së partive opozitare, të mbajtur dje në Prishtinë, si dhe vlerëson sjelljen e qytetarëve, të cilët vazhduan aktivitetet e tyre kremtuese për nder të Festës së 28 Nëntorit. Në një deklaratë për shtyp të qeverisë thuhet se ajo ka treguar gatishmëri për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare. Qeveria është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet vendit tonë dhe Malit të Zi, duke siguruar ballafaqimin e argumenteve të Komisionit shtetëror dhe të opozitës. Prandaj, Qeveria vlerëson se askush, andaj as opozita, nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, por çdonjëri duhet të ballafaqohet me të. Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, çdo përpjekje për të përdorur këto procese të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë, për qëllime politike e partiake, është e papranueshme.

Numri i kufizuar i pjesëmarrësve në protestën e 28 Nëntorit, në krahasim me parashikimet e opozitës, edhe përkundër shpenzimeve të mëdha për transportin e siguruar nga të gjitha anët e vendit, flet se shumica dërmuese e qytetarëve kërkojnë zgjidhje institucionale të problemeve, stabilitet të vendit, paqe, zhvillim ekonomik dhe siguri, e jo anarki për qëllime të një grupi të ngushtë politik. Krahas flamurit kombëtar, qytetarët e vendit tonë respektojnë simbolet, flamurin dhe shtetin e tyre të pavarur. Përdorimi i dhunës në Kuvend, hedhja e vezëve, gazit lotsjellës, si dhe sulmet ndaj Kryeministrit të vendit e pjesëtarëve të Qeverisë, kërcënimet e VV-së se qeveritarët nuk do të kenë jetë private, si dhe materialet dhe pajisjet që policia gjeti në Selinë e VV-së, flasin se deri në çfarë shkalle ka degraduar organizimi i opozitës, sidomos i Lëvizjes VV, kundër Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj.

Qeveria e Republikës së Kosovës u jep mbështetje të plotë organeve kompetente për zbatimin e ligjit në Kosovë, Policisë së Kosovës, Prokurorisë së shtetit dhe organeve gjyqësore, ndërsa thekson se në asnjë mënyrë nuk ka ndërhyrë, nuk po ndërhynë dhe nuk do të ndërhyjë, për asnjë moment, në kompetencat dhe përgjegjësitë e pushteteve të tjera. Qeveria e Kosovës përkrahë plotësisht mbajtjen e rregullt të seancave të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendi është vendi ku zhvillohet debati demokratik për çdo shqetësim të pozitës, opozitës dhe të qytetarëve të Kosovës, kurse është e papranueshme çdo sjellje e dhunshme që pengon punën normale të Kuvendit dhe rrezikon jetën e deputetëve, anëtarëve të Qeverisë, mediave dhe pjesëmarrësve tjerë.
Sigal