Kosovë, qeveria miraton sërish amendamentin për Gjykatën Speciale

444
Qeveria e Kosovës miratoi për herë të dytë amendamentin kushtetues për Gjykatën Speciale dhe e riprocedoi për miratim në Kuvend.
Kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova ka kërkesë eksplicite nga partnerët strategjikë, SHBA dhe Bashkimi Evropian, miratimin e Gjykatës Speciale, si një obligim ndërkombëtar që ka marrë vendi. Mustafa tha se Kosova nuk mund të zhvillohet nëse mbetet e izoluar nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, ndaj ai i ftoi deputetët që të miratojnë formimin e Speciales.
Edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi tha se miratimi i Gjykatës Speciale do t’i përshpejtojë hapat për integrime evropiane, ndërsa ftoi deputetët që pa hezitim në ditët e ardhshme të japin votën e tyre pro Gjykatës Speciale.
Po ashtu thuhet se përmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cenojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës.
“Përmbushja e këtij obligimi nga institucionet e Kosovës, do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë për ndryshimet individuale që mund të lidhen me këtë proces dhe do të jetë një hap i rëndësisë së posaçme për proceset integruese euroatlantike, si dhe në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, bën të ditur Qeveria.
Sigal