Kosovë, qeveria do ta dërgojë në parlament marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi

682
Qeveria e Kosovës paralajmëroi dërgimin në parlament të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, pasi pranoi një raport mbi gjetjet e Komisionit të ri për shënimin e kufirit. Kështu tha të premten në mbledhjen e qeverisë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sipas të cilit Komisioni Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare tashmë ka përfunduar punën rreth raportit që pritet te diskutohet në qeveri në fillim të javës së ardhshme në qeveri.
“Pritjet janë që bashkë me raportin e Komisionit, Qeveria ta procedojë edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e kufirit në parlament, në mënyrë që ky institucion të marrë vendim, nëse do ta ratifikojë apo anulojë këtë marrëveshje. Të gjeturat e raportit, pra ia dërgojmë parlamentit. Sa na përket neve si qeveri, pas njohjes së materialit, nuk na mbetet shumë punë apo punë tjetër, pos ta procedojmë në parlament”, tha kryeministri Haradinaj.
Komisioni për ri-vlerësimin e vijës kufitare me Malin e Zi është krijuar me vendim të qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili vazhdon të jetë një nga kritikuesit më të mëdhenj të marrëveshjes së arritur.
Por, marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të ri negociohet.
Marrëveshja ndërkaq nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që Kosova të jetë e vetme në rajonin e Ballkanit perëndimorë qytetarët e së cilës duhet të kërkojë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Sigal