Kosovë – PAN-i do t’i formojë institucionet javën e ardhshme

69
PAN-i i ka numrat e domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja në vend. A do të jetë kjo shumicë e nevojshme e krijuar nga disa deputetë apo grupe parlamentare kjo mbetet të shihet, por ky koalicion nuk ka vija të kuqe për askënd. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” zëvendëskryetari i PDK-së, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj

Vendi nuk do të futet në krizë politike sepse koalicioni PAN i ka numrat e domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja. Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i ri, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të jetë motori i kësaj Qeverie, e cila do të merret me vendimet e mëdha për vendin. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj.

Gjatë kësaj interviste Hoxhaj ka thënë se pret që jo më larg se java e ardhshme të formohen edhe institucionet e reja nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Sipas tij, PDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjërën nga subjektet politike, madje u ka bërë thirrje të gjithave që të krijojnë një konsensus politik rreth disa temave të mëdha, siç janë Demarkacioni apo krijimi i ushtrisë. Më tutje zëvendëskryetari i PDK-së ka folur edhe për gjendjen në partinë e tij.