Kosovë, Opozita paralajmëron: Do të bllokojmë seancën dhe Qeverinë

473
Seanca e caktuar të mbahet këtë të enjte, datë 15 tetor, duke të jetë e vështirë të mbahet. Opozita është e vendosur që edhe këtë seancë ta bllokoj, derisa po e quan provokim të pozitës që po i bënë atyre me caktimin e seancave plenare. Madje, opozita paralajmëron bllokimin edhe të Qeverisë së Kosovës. Në anën tjetër pozita shprehet e vendosur se pavarësisht çfarëdo mjeti që do të përdoret, seanca do të mbahet sepse e kanë obligim kushtetues dhe ligjor. Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, thotë për KosovaPress se Kosova gjendet në një situatë të tensionuar për shkak të marrëveshjeve të nënshkruara nga kryeministri i Kosovës, atë për Asociacionin dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Sipas Molliqajt, opozita e ka paralajmëruar Qeverinë paraprakisht se nuk mund të ketë vazhdim normal të institucioneve dhe të jetës private të politikanëve përgjegjës për këto marrëveshje, dhe në anën tjetër të ketë zbatim të marrëveshjeve, pasi duhet të jetë ose njëra ose tjetra. Thirrja e seancës plenare për të enjten, sipas Molliqajt, për opozitën është provokim nga pozita dhe dëshirë për ta tensionuar situatën, prandaj janë të vendosur që të mos ketë vazhdim normal të seancave të Kuvendit e as punës së kryeministrit.

“Po nuk e kemi me renditje, sipas rëndësisë, ajo që do të ndodh është se jemi të vendosur që nuk ka vazhdim të seancës, nuk ka vazhdim normal të punës së kryeministrit, as njerëzve të tij që kanë të bëjnë me marrëveshjen për shkak se situatën në këtë gjendje të rënd e kanë sjell këta politikanë. Nëse këta reflektojnë atëherë mund të kemi edhe zgjidhje, nëse ata nuk reflektojnë, përkatësisht nuk tërhiqen nga nënshkrimi i tyre, sigurisht se do të ketë veprime. Veprimet tona do të jenë në formën e asaj që nuk do ta lëndojnë askënd, por në të njëjtën kohë nuk e lejojnë vazhdimin e seancës”, tha Molliqaj. Ndërkohë, përveç Kuvendit i cili ka katër seanca që nuk po i mbanë normalisht, Molliqaj thotë se do të bllokohet edhe Qeveria e Kosovës, por nuk tregon mënyrat se si do të bëhet kjo. Ai tha se do të intensifikohen veprimet dhe aksionet, deri në protesta masive. “Edhe qeveria do të bllokohet, edhe jeta institucionale nuk mund të vazhdoj më me këto marrëveshje. Po u tërhiqen nënshkrimi në marrëveshje, mund të kemi jetë normale institucionale pozitë-opozitë. Derisa këto marrëveshje shtyhen me arrogancë nga pushteti nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve në vend dhe ky është vendim i prerë i opozitës dhe jemi të vendosur në këtë pikë, nuk ka kompromis”, theksoi ai.

Mirëpo, të vendosur duken të jenë edhe koalicioni qeverisës në zhbllokimin e situatës politike. Ata thanë se puna e Kuvendit duhet të vazhdoj në mënyrë të rregulltë.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, tha për KosovaPress se mbajtja e seancës nuk është dëshirë por është obligim ligjor dhe kushtetues që ata të japin kontributin e tyre që të kenë seancë të rregullt dhe të zhbllokojnë jetën institucionale. “Ne do t’i përmbushim obligimet tona kushtetuese, ligjore dhe do të japim kontributin që seanca të filloj dhe të përfundoj me shqyrtimin e të gjitha ligjeve, raporteve që kryesia i ka paraparë për këtë seancë…Ne do të procedojmë me tutje, detyrën tonë dhe obligimin tonë para qytetarëve do ta kryejmë me çdo kusht, pavarësisht pengesës se çfarë natyre do të jenë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm dhe kemi deklaruar se çdo gjë që shkon në të mirën e fuqizimit të shtetit, të institucioneve të vendit, që ndikon në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës ne të gjitha kënaqësitë dhe interesat tona personale do t’i flijojmë karshi këtyre interesave dhe me çdo kusht do t’i mbrojmë institucionet tona dhe ta japim kontributin tonë duke harruar vetveten”, tha Grabovci.

Nënkryetari i PDK-së thekson se ajo që ka ndodhur në seancën e fundit është më e padëshirueshmja, jo vetëm për të, por nuk e ka dëshiruar asnjë qytetar i Kosovës, pasi ato skena i kanë përjetuar në rrethana tjera, atëherë kur kanë qenë të pushtuar. Veprimet e opozitës në katër seancat e kaluara në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionin dhe demarkacionit me Malin e Zi, sipas Grabovcit, janë vetëm pretekst i opozitës për të ardhur në pushtet. Në seancën e së enjtes janë paraparë shqyrtimi i disa projektligjeve, raporteve dhe një mori pikave tjera.
Sigal