Kosovë, opozita në protestë “Për Republikën” në Prizren

419
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në qendër të Prizrenit që prej 0rës 13:00 për të kundërshtuar marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka ftuar prizrenasit që të jenë aktivë e mos të jenë vetëm vëzhgues në proceset nëpër të lcilat po kalon vendi, si dhe të bashkohen në Prishtinë, në protestën e 9 janarit, të cilën e ka quajtur unike. “Të tregojmë fuqishëm se nuk jemi për futjen e një shteti tjetër në Kosovë dhe se nuk kemi toka për t’i falur një vendi tjetër”, ka thënë Limaj.
Ndërsa kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë: “Po shihni edhe çka do të thotë të ketë në pushtet njerëz të korruptuar. Regjimi policor i treshes famëkeqe Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli është ngritur kundër popullit, është ngritur kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo treshe famëkeqe po kërcënon me Asociacion e po e tkurrë me demarkacion”.
“Mustafa e Thaçi po thonë se kjo është e mirë për Kosovën sepse kështu po ua kërkojnë miqtë e tyre Vuçiçi e Daçiçi. E të dy po na bëjnë thirrje bashkë me Jahjagën hajde të flasim e të merremi vesh se si t’ia falim Serbisë sovranitetin. Nuk do të pranojmë këtë gjë. Ne angazhohemi për Republikën”, ka thënë Ymeri.
Blerim Kuçi, sekretar i AAK-së, filloi fjalimin duke treguar kronologjinë e shpalljes së Pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së Kosovës. Kuçi foli pasi Haradinaj është në një udhëtim zyrtar, sipas tij.
Ai përmendi nenin e parë të Kushtetutës, në të cilin thotë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. E ky nen është shkelur nga marrëveshja e Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, me Serbinë, për krijimin e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kuçi ka shtuar se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, e cila shkel nenin 2 të Kushtetutës për sovranitet.
Sigal