Kosovë/ Opozita kërkon nga Kushtetuesja rrëzimin e amendamentit për Gjykatën Speciale

455
Opozita kosovare do i kërkojë sot Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ta rrëzojë amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale, të miratuar javën e kaluar në Kuvend. Tre partitë opozitare kontestojnë procedurën e miratimit dhe përmbajtjen e amendamentit kushtetues. Në 3 gusht, Kuvendi i Kosovës me më shumë se dy të tretat e deputetëve – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim miratoi propozim-amendamentin nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar nga qeveria, pas mosmiratimit nga Kuvendi në 26 qershor. Për miratim të ndryshimeve kushtetuese nevojitet një votim i dyfishtë, me dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë.
Gjykata Speciale u rikthye në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 3 gusht pasi në 26 qershor për miratim mungonin 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e deputetëve. Në procesin e votimit opozita nuk mori pjesë, ndërsa nga pozita, subjekti politik më i madh i koalicionit qeverisës PDK, 7 deputetë ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin. Tre nga shtatë deputetët që votuan kundër në votimin e parë, në të dytin votuan pro amedamentit të riproceduar në Kuvendin e Kosovës. Në 1 gusht, në mbledhjen e qeverisë, ku u miratua unanimisht propozimi për riprocedimin e amendamenteve kushtetuese, u tha se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvend”.
“Gjatë riprocedimit kemi pasur parasysh po ashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e ka konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës”, theksoi qeveria. Tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma, insistojnë se është shkelur procedura kushtetuese, prandaj kanë paralajmëruar se sot rreth mesditës kërkesën për rrëzimin e amendamentit do ta deponojnë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.
Sigal