Kosovë, në orën 14:00 proteston opozita, pjesamarrja më e madhe se në 28 nëntor

66
Do të mbahet sot protesta e paralajmëruar prej javësh nga tri partitë opozitare të cilat kërkojnë largimin e qeverisë
Drejtuesit kryesorë të tre partive opozitare kanë paralajmëruar se 9 janari shënon fillimin e një serie protestash deri në rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Marshi protestues nis nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00
Në një video të postuar në rrjetin social facebook, të lëvizjes Vetëvendosje renditen këto arsye për protestën e 9 janarit.
– Nënshkruan marrëveshje të dëmshme me Serbinë
– I falën Malit të Zi mbi 8 mijë metra katrorë
– Arrestuan opozitën
– Dështuan në nismat ndërkombëtare
– Mashtruan që marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën
Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili aktualisht është në arrest shtëpiak në një intervistë televizive në Kosovë tha dje se protesta e sotme e opozitës do të jetë më masive se ajo e 28 nëntorit.
Kurti tha se opozita nuk synon ta marrë pushtetin me dhunë, por me zgjedhje dhe sipas tij Qeveria është më mirë të japë dorëheqje se sa të detyrohet të rrëzohet.
“Pushtetin do ta marrim me zgjedhje jo me dhunë. Para se të ndodh kjo, kjo Qeveri duhet të bie. Më mirë me zgjedhje se me rrëzim”, tha ai.
Opozita e bashkuar e ka përsëritur vazhdimisht mungesën e legjitimitetit të koalicionit qeverisës pas vendimit të Kushtetueses në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.