Kosovë – Mustafa paralajmëron procedimin në Kuvend të demarkacionit

536
Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar riprocedimin për ratifikim në Kuvend, të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në mbledhjen e rregullt të qeverisë, kryeministri Mustafa ka thënë se raporti final i matjes së territorit nga ana e Komisionit Shtetëror është në përfundim e sipër, andaj, menjëherë pas, sipas tij, qeveria do t’a procedoj marrëveshjen për në kuvend.

Ai nuk ka precizuar se kur, por, ka thënë se demarkacioni do të riprocedohet këto ditë.

Sipas Mustafës, me ratifikimin e kësaj marrëveshje, Kosova do të përmbyllë shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe do të hap perspektivën e procesit të liberalizimit të vizave.

Sidoqoftë, koalicioni qeverisës po përballet me sfidën serioze të sigurimit të votave. Ratifikimi i kësaj marrëveshje, kërkon 80 vota të deputetëve, të cilat koalicioni nuk kishte arritur t’i siguronte gjatë procedimit të parë të kësaj marrëveshje në Kuvend, në shtatorin e vitit të kaluar.

Opozita si dhe një numër i deputetëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës janë deklaruar kundër kësaj marrëveshje, duke besuar seme demarkacionin aktual, Kosova rrezikon të humb rreth 8 mijë hektarë tokë. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse në seancë do të merr pjesë edhe Lista Serbe, votat e të cilës duken më se të domosdoshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Sigal