Kosovë, MSA hyn në fuqi në qershor, ja cilat produkte lirohen nga tarifat doganore

457
Marrëveshja për Stabilizim-Asocim (MSA) mes BE-së dhe Kosovës, e cila është nënshkruar vitin e kaluar dhe është miratuar këtë javë nga Parlamenti Evropian (PE), pritet të hyjë në fuqi në qershor të këtij viti. Nga marrëveshja del se tarifat doganore, në fazën e parë, do të hiqen plotësisht për gjithsej 2 mijë e 564 produkte bujqësore të përpunuara, përveç mishit, verës dhe produkteve të sheqerit. Ndërsa për produktet industriale, përkatësisht veturat dhe makineritë, tarifat doganore janë të përshkallëzuara për shtatë vitet e ardhshme, dhe ato do të lirohen nga tarifa doganore me zero për qind vetëm pas kësaj periudhe kohore. MSA prodhon dy lloj efektesh materiale dhe procedurale. Tek efektet materiale është tatimi doganor, i cili për një pjesë të mallit do të eliminohet në tërësi, për ato mallra të cilat nuk janë të parashikuara në anekse, për arsye se në Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit janë nëntë anekse dhe pesë protokolle. Zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë shpjeguar se të gjitha ato mallra industriale që s’janë parashikuar në anekse do të lirohen me zero për qind, ndërsa në momentin e ratifikimit të marrëveshjes në Parlamentin Evropian, Dogana e Kosovës ka publikuar anekset dhe të gjitha bizneset do të kenë mundësi t’i shohin se cilat mallra lirohen dhe cilat mallra nuk lirohen.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci për KosovaPress tha se marrëveshja e MSA-së është e ndarë në tre kapituj: Kapitulli industrial, bujqësor dhe peshkimi një fushë e veçantë. Te kapitulli industrial ato produkte industriale që nuk janë të parashikuara në anekse të marrëveshjes janë me zero për qind. Ai tha se ka një kategori të produkteve industriale për të cilat është parashikuar që pas katër viteve tatimi doganor do të jetë zero për qind. Ky quhet lirimi i shpejtë proporcional. Te këto lirime vitin e parë tatimi doganor nga dhjetë për qind sa është tani, do të bjerë në tetë për qind. Vitin e dytë do të jetë gjashtë për qind, vitin e tretë katër për qind dhe vitin e katërt dy për qind, ndërsa pas vitit të katërt do të jetë zero për qind. Stavileci tha se në aneksin e dytë futet lirimi i shpejtë jo proporcional, në të cilin janë produktet industriale, pjesa më e madhe e të cilave prodhohen dhe ne kemi pasur interes t’i mbrojmë. “Trajtimi i tatimit doganor bëhet kryesisht për tre kapitujt e mallrave për ato industriale, siç janë veturat, produktet bujqësore dhe produktet e qumështit të cilat janë me origjinë evropianë si dhe peshkimi është një kapitull i veçantë. Kjo marrëveshje mundëson produktet e Unionit Evropian me taksë zero për qind ose me taksë të përshkallëzuar e cila vjen duke rënë me kalimin e viteve, por normalisht e favorizon edhe ekonominë kosovare sepse i mundëson edhe prodhuesve të Kosovës që të eksportojnë në një treg shumë më të gjerë në Unionin Evropian”, tha Stavileci.
Ai shtoi se shtatë vjet është koha e maturimit të Marrëveshjes, faktikisht atëherë lirohen nga tarifat doganore edhe ato produkte të cilat kanë taksë, p.sh automjetet, që janë një produkt për të cilin qytetarët kanë mjaft interes. Stavileci tha për KosovaPress se pritet që në qershor kjo marrëveshje për MSA-në të funksionalizohet pasi të kalojnë të gjitha procedurat e parashikuara. Ai tregoi edhe për veturat të cilat do të lirohen nga tarifa doganore pas 7 vjetëve, prej 10 për qind në 0 për qind. Ai tha se produktet bujqësore, po ashtu, kanë një shkallë progresive të zbritjes së tatimit doganor. Ky është efekti material në të cilin ka ndikim MSA-ja. Në vitin e parë, sipas kalkulimeve të Doganës dhe Departamentit të Makrosë, parashikohet të ketë një zvogëlim në të ardhurat e tatimit doganor prej 24 milionë euro. 20.6 do të jetë tatimi doganor, ndërsa 3.3 për qind do të jetë Tatimi i Vlerës së Shtuar. Udhëheqësi i Divizionit për Politika Tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Zef Dedaj për KosovaPress tha se patatja dhe produktet e qumështit hyjnë në mesin e produkteve bujqësore për të cilat BE heq tarifat doganore nga hyrja në fuqi e MSA-së. Kurse për produktet e mishit të viçit, BE-ja do të fiksoj tarifën doganore të aplikueshme për eksport nga Kosova në BE në 20 për qind tarifë.
Ai shtoi se të gjitha produktet industriale të prodhuara në Kosovë do të eksportohen në shtetet e BE-së me tarifë doganore zero. Sipas Dedajt kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm në aspektet ekonomike dhe tregtare. Kjo marrëveshje është asimetrike që do të thotë se të gjitha prodhimet vendore do të kenë qasje të plotë në tregun e BE-së përveç atyre që janë të negociuara përmes kuotës. Por edhe kjo përmes kuotës sipas Dedajt është në favor të produkteve tona.
Sigal