Kosovë-Maqedoni, mbledhja e përbashkët e dy qeverive do mbahet në mars

656
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë vizitës zyrtare në Shkup, u takua me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, me të cilin diskutoi për një etapë të re të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maqedonisë, që do të jetë përmbajtësore dhe me projekte konkrete bashkëpunimi.
Hoxhaj dhe Zaev kanë diskutuar për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si hapi i parë që do ta hapë rrugën e zhvillimit të bashkëpunimeve të reja në shumë fusha. Palët janë pajtuar që kjo mbledhje të mbahet në mars të këtij viti, ndërsa së shpejti do të bëhet e ditur edhe data e saktë.
Në këtë takim, Hoxhaj në emër të Qeverisë së Kosovës, ka dërguar mbi njëzet propozime për marrëveshje dhe tema të diskutimit për mbledhjen e përbashkët, duke nisur nga bashkëpunimi ekonomik e tregtar, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, bashkëpunimi ndërkufitar, arsimor, kulturor, si dhe në fushën e drejtësisë.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj dhe kryeministri Zaev, janë pajtuar se viti 2018 ka potencial të jetë viti i shteteve të rajonit dhe i shënimit të progresit në proceset e integrimit euro-atlantik.
Përveç takimit me kryeministrin Zaev, Hoxhaj ka takuar edhe zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe ministrin e Diasporës, Edmond Ademi, ku kanë biseduar për bashkëpunime të reja në fusha të interesit të përbashkët.
Në 15 dhjetor 2017 qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeminsitri Ramush Haradinaj, nisi përgatitjet për mbledhjen e parë të përbashkët me qeverinë e Maqedonisë dhe për këto përgatitje autorizoi zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj.
Maqedonia është shteti i 49-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.
Qeveria e Kosovës deri tani ka mbajtur mbledhje të përbashkëta vetëm me qeverinë e Shqipërisë, gjithsej 4, së fundi në 27 nëntor 2017 në Korçë, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 dhe të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë.
Sigal