Kosovë, Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj kërkon zgjedhje të reja

475
Në një intervistë për “Radio Evropën e Lirë” Haradinaj është shprehur se nëse në Kosovë nuk ndodh ndryshimi atëherë do të përkeqësohet gjendja.
“Qeverisja e Thaçit e përkeqësoi gjendjen në vend. Bashkimi me LDK-në dhe qeverisja e zotit Mustafa, po e përkeqëson një gjendje që ishte e keqe. Ne i ballafaqojmë këta dhe synojmë ndryshimin, pra synojmë daljen nga kjo gjendje e qeverisjes. Si dalje nga kjo gjendje që është në përkeqësim e sipër e në vështirësim për qytetarët, i mendojmë zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj më pas ka shtuar se është e papranueshme vazhdimi me një cilësi të tillë qeverisje.
“Mendojmë se humbjet e Kosovës do të thellohen e normalisht, edhe humbjet për qytetarët do të thellohen çdo ditë. Ende s’ka një model të qartë, mirëpo vetvetiu një reflektim politik nga të gjithë ne duhet të ndodhë, besoj edhe nga ata që qeverisin sot. Duhet ta vlerësojnë se sa gjatë duan të vazhdojnë me këtë situatë, e cila po e përkeqëson gjendjen në vend. Pra, do të ishte edhe në interesin e atyre që janë në qeverisje sot te marrin një vendim sa më të shpejtë”, është shprehur Haradinaj.
Ai gjithashtu ka folur edhe rreth Gjykatës Speciale ku ka theksuar se qeveria nuk mundet ta kthejë në riprocedim një gjë e cila ka vdekur.
Sigal