Kosovë, Jahjaga: Rruga drejt BE-së kërkon dialog, Delawie: Deputetët të respektojnë ligjin

415
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u kërkoi liderëve politik të zgjidhin mosmarrëveshjet. Kryetarja e shtetit theksoi se rruga drejt BE-së kërkon më shumë përkushtim dhe më shumë punë, kërkon institucione të forta dhe demokratike; kërkon më shumë rend e ligj; respektim të institucioneve të drejtësisë; më shumë angazhim për të ruajtur vlerat e diversitetit të shoqërisë, atë etnik, kulturor dhe fetar. “Pra, na duhet që të gjithë së bashku të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje, sepse shtetin nuk mund ta sfidojmë për çdo ditë dhe sepse nuk mund të rrënojmë institucionet e vendit, besimin te të cilat, me shumë mund, duhet ta rikthejmë te qytetarët”, u shpreh Jahjaga.

Deklarata e presidentes u bë gjatë konferencës vjetore të prokurorëve, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan, në Kosovë, Greg Delawie. Ky i fundit kërkoi nga prokurorët që të jenë të pavarur në mënyrë që të garantohet për të gjithë barazia para ligjit. Kryediplomati foli edhe për klasën politike kosovare, që sipas tij nuk ka të drejtë të tregojë një sjellje të tillë në Kuvendin e Kosovës. “Më lejoni të jem i qartë. Deputetët e kanë çdo të drejtë dhe në fakt edhe obligim që të jenë zëri i atyre që i përfaqësojnë, por kundër asaj që kemi dëgjuar në media edhe këta deputetë e kanë përgjegjësinë e njëjtë për ta respektuar ligjin, si çdo qytetar”, u shpreh Delawie.

Prej dy muajsh opozita ka bllokuar punimet e Kuvendit, duke kërkuar nga ekzekutivi tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi. Më 25 gusht qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshje me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Sigal