Kosovë, Haradinaj: Masa, nëse Atifete Jahjaga nuk përgjigjet

468
Sigal

Fati i Kosovës mbetet në dorë të presidentes Atifete Jahjaga. Të paktën kështu mendon koalicioni paszgjedhor, i cili thotë se nëse presidentja nuk ndërmerr masa, ata do të veprojnë, pa konkretizuar hapin që do të ndërmarrin.
 
“Kemi hyrë në fazën vepruese. Është një absurd i madh, jo vetëm i Thaçit që të dëshiron të qeverisë me 36 deputetë, por edhe përgjigja e presidentes ndaj kërkesës së pakicave. Në rast se presidentja sjell përgjigje të njëjtë me atë të pakicave, atëherë nga fillimi i javës së kaluar, e hëna ose e marta, do të marrim masa.
 
Ne sot kemi marrë vendim në radhë të parë t’i kërkojmë sqarime presidentes”, ka thënë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të sotëm me anëtarët e Bllokut.
 
Ndryshe raportojnë mediat kosovare të cilat thonë se nëse Blloku nuk do të dalë sot me një vendim, do të përballet me afatet kohore për të gjetur një kompromis nga ana e presidentes.
 
Ndërkaq, po sot koalicioni LDK-AAK-Nisma e Vetëvendosje kanë mohuar zyrtarisht skenarin e PDK-së e cila pranon të heqë dorë nga postet e kryeparlamentarit dhe drejtimi i qeverisë, me kusht që Blloku të votojë Hashim Thaçin president.