Kosovë, Haradinaj: Mali i Zi s’po kërkon tokën tonë, pushtetarët tanë po i thonë merre

481
Opozita e Kosovës ka manifestuar sot në Gjilan për të kundërshtuar marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi. Në protestë janë mbledhur qindra qytetarë, ndërsa në mes të turmës shihen edhe liderët opozitarë: Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.
Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka folur para qytetarëve në Gjilan duke paralajmëruar një protestë në Prishtinë, ku u bëri thirrje për pjesëmarrje.
Ai tha se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë zaptues të pushtetit që e kanë humbur argumentin politik dhe e kanë vetëm argumentin e forcës. Prania e qytetarëve në sheshin “Agim Ramadani” në Gjilan, e siguroi Ymerin që të thotë se qytetarët janë kundër marrëveshjeve të Qeverisë me Serbinë dhe Malin e Zi.
“Republika nuk mund ta pranojë atë Zajednicë dhe nuk mund ta pranojë që t’i falet tokë Malit të Zi”, tha Ymeri, duke thënë se nuk pranojnë t’i falin “Zajednicës”, “Trepçën”, Brezovicën e shumë resurse tjera.
Sipas Ymerit Republika e Kosovës ose është e qytetarëve ose nuk është fare.
“Me Marrëveshjet e Isës e Hashimit, ajo nuk është e qytetarëve, gjysma është e Isës e Hashimit e gjysma tjetër e Serbisë”, shtoi Ymeri. “Gjilani që u copëtua nga Decentralizmi, sot kërcënohet nga Zajednica”, tha më tej Ymeri.
Ky është manifestimi i dytë në komuna më të vogla, pas organizmit të parë në Gjakovë, të cilin e parapriu një manifestim qendror më 28 nëntor në Prishtinë.
Haradinaj: Mali i Zi s’po kërkon tokën tonë, pushtetarët tanë po i thonë merre
Gjilani e Anamorava sot janë bashkuar për ta ndalur të keqen, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, teksa është kthyer në histori për të përmendur emrat që i ka dhënë kjo trevë e Kosovës për lirinë e vendit.
“Në të kaluarën është luftuar edhe me pushkë, por sot ju jeni duke luftuar në një mënyrë për ta ndalur të keqen”, ka thënë Haradinaj, në fjalën e tij para qytetarëve të mbledhur në sheshin e Gjilanit, në atë që opozita e ka thirrur si Manifestim për Republikën.
“Mali i Zi po thotë nuk duam tokë të Kosovës, e pushtetarët tanë prapë po duan që t’i japin. Por janë disa djem e vajza që janë mbledhur për t’i thënë jo Marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. E pushteti po i burgos vetëm për të na futur frikën”, ka thënë Haradinaj.
Nga radhët e AAK-së, para qytetarëve të Anamoravës ka folur edhe numri dy i partisë Ahmet Isufi, i cili e ka nisur fjalimin e tij duke i pyetur qytetarët e mbledhur se a janë kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi.
Pasi ka marrë përgjigjen e pritur, ai ka thënë se kjo është “fjala e popullit për këto Marrëveshje”.
Sigal