Kosovë, Haradinaj kryeministër?

517
Sigal

Partitë opozitare në Kosovë duket se kanë arritur një marrëveshje për të shmangur një mandat të tretë qeverisës të kreut të PDK-së, Hashim Thaçi. 

Lidhja Demokratike e Isa Mustafës, Aleanca për Ardhmërinë e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për formimin e qeverisë së re, pavarësisht fitores së PDK-së në zgjedhjet e së dielës. Në bazë të ligjit zgjedhor, partia e parë mandatohet për formimin e qeverisë së re. Por nëse PDK nuk siguron dot shumicën e nevojshme për formimin e kabinetit të ri, mandatimi i kalon automatikisht partisë së dytë më të votuar, në këtë rast LDK-së. Në rast se LDK do të merrte mandatimin atëherë do të vihej në jetë marrëveshje e sapopublikuar mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës, ku sipas gjasave qeveria do të drejtohet nga Ramush Haradinaj dhe Limaj do të mbante postin e zv.kryeministrit.