Kosovë, Goran Rakiç zgjidhet kryetar i Listës Serbe

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës të përfshirë në Listën Serbe zgjodhën të hënën për kryetar të tyre Goran Rakiç, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut.

Zgjedhja e tij u bë gjatë mbajtjes së Konventës së parë të kësaj liste, në të cilën u ndryshuan edhe disa amendamente të statutit si dhe u zgjodh kryesia e re, e përbërë nga nëntë anëtarë.

Kryetari i zgjedhur i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se do të punojë që kjo listë të angazhohet edhe më shumë për të drejtat e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Ai tha se qëllimi politik i Listës Serbe është ruajtja e interesave serbe në Kosovë.

"Lista Serbe do të luftojë në tryezë, Lista Serbe do të luftojë në parlament. Këtë politikë të paqes e ka filluar kryeministri dhe tani presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ne nuk do të marrim vendime të nxituara dhe të njëanshme dhe çfarë është më e rëndësishmja, do të konsultohemi me Beogradin", tha zoti Rakiç.

Lista Serbe, e themeluar në vitin 2013 me mbështetjen e qeverisë së Serbisë, vazhdon të jetë subjekti më i madh i serbëve të Kosovës ndërsa në parlamentin e ardhshëm të Kosovës, do të përfaqësohet me nëntë deputetë nga dhjetë që i takojnë këtij komuniteti në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Që nga formimi i saj, kjo listë është përfshirë në qeverinë e Kosovës ku mban postin e zëvendëskryesministrit.

Lidhur me qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, zyrtarë të Listës Serbe shprehen të papërcaktuar se me cilin grup politik do të bëjnë koalicion.

Kjo listë shihet edhe si faktor i rëndësishëm në krijimin e qeverisë së re të Kosovës.