Kosovë, fillon fushata për zgjedhjet e pushtetit komunal

604
Në mesnatë partitë politike në Kosovë hapën edhe zyrtarisht fushatën njëmuajshe për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ndonëse fushata në terren ka filluar tashmë që një kohë. Gjithsej 91 subjekte politike, nga të cilat 35 parti politike, një koalicion, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndërsa partitë e mëdha janë përqendruar më shumë në qytetet e mëdha të Kosovës.
Konkurrenca më e fuqishme për zgjedhjet komunale të 22 tetorit në Kosovë, zhvillohet në Prishtinë. Duke qenë kryeqyteti i vendit, ajo ka nxitur edhe shumë kandidatura të partive politike.
Që nga shpallja e zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive.
Edhe kësaj radhe, Bashkimi Evropian do të shpërndajë 100 vëzhgues në Kosovë ndërsa kanë bërë të ditur se do të përqendrohen më shumë në vende ku kishte probleme gjatë zgjedhjeve të përgjithshme.
Thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike kanë bërë edhe ambasadat e e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat nëpërmjet një komunikate për opinion kërkuan “një proces zgjedhor të hapur dhe transparent ku të gjithë kandidatët kanë të drejtën që të dëgjohen nga votuesit, ku pjesëtarët e mediumeve kanë të drejtën që – pa kërcënim ose dhunë – të shpërndajnë informata për zgjedhjet, dhe ku të gjithë votuesit kanë të drejtën që të marrin vetë vendimet e tyre pa trysni”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu ambasadat perëndimore thonë se liria për përkatësi politike dhe e fjalës janë të drejta të garantuara në një shoqëri demokratike ndërsa bënë të ditur se fuqimisht do të dënojnë çdokënd që tenton të ndikojë në procesin zgjedhor, apo që përmes frikësimit, kërcënimit dhe trysnisë tenton të ndikojë në zgjedhjen e votuesve.
“Ne presim nga udhëheqësit e Kosovës dhe nga ata që kanë ambicie për udhëheqësi që të flasin fuqimisht kundër këtij lloji të sjelljes dhe përkrahim përpjekjet e policisë vendore dhe prokurorëve që të hetojnë çdo raport të frikësimit, kërcënimeve, dhe detyrimit, dhe që të ndjekin penalisht këto nëse ka fakte”, thuhet në komunikatë duke u bërë thirrje votuesve që të zgjedhin mençurisht ata kandidatë të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit, derisa shteti synon vazhdimin e rrugëtimit drejt integrimeve euro-atlantike.
Policia e Kosovës dhe mekanizmat tjerë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se janë duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë për fushatën zgjedhore, përfshirë edhe veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Sigal