Kosovë, dy deputetë propozojnë marrëveshje për daljen nga kriza

441
Deputetët kosovarë Ilir Deda dhe Vjosa Osmani në një konferencë shtypi thanë se situata politike dhe e sigurisë në vend është e papranueshme dhe Kosova mund të humbë shumë në rast se kjo situatë vazhdon. Ata propozuan një marrëveshje për 5 partitë politike në vend LDK, PDK, AAK VV dhe Nisma. Deda tha se njerëzit e zgjedhur në situata të vështira kanë përgjegjësi të mëdha duke propozuar kështu marrëveshje me pesë pika që ka të bëjë me asociacionin dhe demarkacionin. “Ne si deputetë nga Kuvendi i Kosovës një nga opozita dhe një nga mazhoranca mendojmë thellësisht se situata e tanishme politike dhe e sigurisë në vend është e papranueshme. Nuk duhet të vazhdojë kjo situatë sepse Kosova mund të humbas shumë. Ne mendojmë që në kërkesat që kemi dëgjuar muajt e fundit ka pika të përbashkëta të mjaftueshme që të arrihet një marrëveshje politike e pesë partive politike shqiptare”, tha Deda. Ai tha se këtë draft-marrëveshje pak më herët ia kanë dërguar pesë liderëve të partive politike. Deda tha se kanë vendosur që të thërrasin edhe të 118 deputetët e tjerë që t’i bashkohen kësaj nisme.

Ndërsa Vjosa Osmani prezantoi pesë pikat e marrëveshjes duke thënë se funksioni i deputetit nuk përfundon vetëm në paraqitje në seanca apo gjuajtjen e gazit lotsjellës në seanca për qëllime të caktuara politike. “Ne si deputetë jemi të votuar mbi të gjitha për interesat e qytetarëve dhe në momentin kur jemi të bindur se po rrezikohet edhe siguria e tyre, atëherë përgjegjësia bie mbi ne që të propozojmë diçka konkrete. Kuvendi i Kosovës do të themelojë një Komisionin hetues të udhëhequr nga opozita për të shqyrtuar marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Përbërja e Komisionit do të jetë sipas dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit”, tha ajo. “Komisioni do të ftojë së paku 5 përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë, të cilët e kanë të drejtën e diskutimit dhe të propozimeve në Komision, por nuk kanë të drejtë vote. Mandati i Komisionit është 30 ditë, dhe konkluzionet e tij do të merren me konsensus të partive nënshkruese të marrëveshjes dhe do të aprovohen në Kuvend. Kjo marrëveshje nënshkruhet nën mbikëqyrjen e Presidentes së Kosovës, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend”, tha Osmani.

Ndërsa pikat e tjera të kësaj marrëveshje janë që Kuvendi i Kosovës do të zgjedhë 2 gjyqtarët e radhës në Gjykatën Kushtetuese me qëllim që vendimi i saj për kushtetutshmërinë e parimeve për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë të komunave me shumicë serbe të bëhet me Gjykatë Kushtetuese të kompletuar. Përzgjedhja e kandidatëve konsensual për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese bëhet që të sigurohet paanshmëria, profesionalizmi dhe përkatësia jopartiake, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pa e paragjykuar vendimin përfundimtar, nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i zgjidhë dilemat për Asociacionin/Bashkësinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do ti drejtohet Komisionit Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (“Komisioni i Venecias”) për sqarime shtesë. Në pikët e pestë të kësaj marrëveshje thuhet se ajo do të votohet si Rezolutë e Kuvendit të Kosovës në seancën e radhës, më së largu 7 ditë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

Osmani deklaroi se këtë marrëveshje e prezantojnë si dy deputetë e jo në emër të partive që iu takojnë. Osmani tha se shpreson që kjo kërkesë të shqyrtohet dhe të negociohet. Dy deputetët deklaruan se presin që kjo inciativë të përkrahet edhe nga përfaqësuesit e pakicës. Deputeti Deda theksoi se ka tashmë kanë marrë një përgjigje pozitive për këtë propozim por se nuk deklaroi se cili lider opozitar ka përkrahur këtë nismë të tyre.
Sigal