Kosova shënon ditën kombëtare të të zhdukurve

498
Kosova shënon sot Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, ndërkohë që ende mbetet i pandriçuar fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gatë luftës.
Kosova ka caktuar 27 prillin ditë kombëtare në përkujtim të ngjarjeve të ditës së sotme të vitit 1999, kur në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës ishin vrarë 376 civilë shqiptarë, prej moshës 15 deri në 75 vjeç. Edhe sot e kësaj dite trupat e një pjese prej të vrarëve, nuk janë gjetur.
Familjarët e personave të zhdukur edhe sot kanë bërë thirrje për më shumë angazhim të autoriteteve vendase e ndërkombëtare për të zgjidhur këtë çështje. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se një trysni më e madhe politike duhet të ushtrohet ndaj Beogradit për të përshpejtuar procesin e ndriçimit të fatit të të zhdukurve.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, shprehu të enjten përkushtimin për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur.
Shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, tha se misioni që ajo drejton nuk do të heqë dorë nga këto përpjekje.
“Kosova duhet të ecën përpara ndërsa merret edhe me çështjet nga e kaluara, përfshirë identifikimin e personave të pagjetur. Sa më shumë kohë që kalon, aq më i vështirë bëhet procesi i identifikimit, por derisa të jemi ne këtu, ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, tha zonja Papadopoulou.
EULEX-i me këtë rast u ka bërë thirrje familjeve të personave të zhdukur që deri tash kanë hezituar, që të bashkëpunojnë me autoritetet, si për shembull “duke i dhënë mostrat e gjakut për analizat e ADN-së, që në këtë fazë është shumë e rëndësishme për identifikimin e trupave”.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.
Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.
Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Sigal