Kosova në prag të bisedimeve me Serbinë

583
Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi u bëri sot thirrje institucioneve dhe partive politike për unitet në të gjitha çështjet e interesit shtetëror, sidomos në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai do të takohet nesër në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, për bisedime të organizuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pati bërë të ditur se të hënën në Bruksel, do të jetë mikpritëse e një takimi joformal ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se takimi pason atë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë. Po ashtu në njoftim thuhet se të dy presidentët “do t’i shkëmbejnë pikëpamjet për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për zhvillimet tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e zyrës së zonjës Mogherini.
Cështja e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ishte temë diskutimi edhe gjatë takimit që presidenti Hashim Thaçi, zhvilloi me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të e shtetit, në margjinat e forumit të Dubrovnikut.
Në një njoftim të zyrës së presidentit Thaçi thuhet se gjatë takimit është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë, për procesin e krijimit të institucioneve, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë, bisedimet me Serbinë, si dhe për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
“Lidhur me dialogun, presidenti ka thënë se Kosova është e interesuar për një dinamikë të re në dialogun me Serbinë, i cili duhet të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”,thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit të Kosovës.
Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre kanë filluar në vitin 2011 dhe që atëherë me gjithë arritjen e disa marrëveshjeve, sfidë mbetet zbatimi i tyre. Ky proces është paralajmëruar se tash e tutje do të zhvillohet në nivel presidentësh të të dyja vendeve.
Por, kundër përfshirjes së presidentit Hashim Thaçi në bisedime me Serbinë, është shprehur të shtunën Lidhja Demokratike e Kosovës e cila nëpërmjet një komunikate për opinion theksoi se “LDK-ja konsideron se Thaçi, duke u implikuar drejtpërdrejt në fushatë zgjedhore, ka dëshmuar se nuk e përfaqëson aspak unitetin e popullit të Kosovës, por vetëm partinë e tij”.
Në komunikatë thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian e me praninë e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të udhëhiqen nga qeveria e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 11 Qershorit, pasi që edhe çështjet, të cilat trajtohen janë në kompetenca kushtetuese të ministrive, përkatësisht qeverisë e jo presidentit”, thuhet në komunikatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kosova aktualisht është duke pritur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit. Pas kësaj pritet të fillohet me formimin e qeverisë dhe përmbushja e marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë, do të paraqesin kokëçarjen e parë për qeverinë e ardhshme.
Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Sigal