Kosova merr zyrtarisht kryesimin e CEFTA-s: Nuk do ketë neglizhime

685
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se nga e mërkura, Kosova ka marrë edhe zyrtarisht kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, të njohur si CEFTA.
Në një komunikatë për media të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se kjo marrëveshje është e rëndësishme jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë, duke iu referuar kështu tregtisë së lirë mes këtyre vendeve.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili do të jetë kryesues i CEFTA-s, me këtë rast ka thënë se Kosova do të luajë një rol konstruktiv gjatë kohës që do të udhëheqë me CEFTA-n. Ministri Hasani, tha se Kosova gjatë kryesimit të CEFTA-së do të ketë qasje bashkëpunimi, duke mos neglizhuar asnjërën palë të përfshirë në këtë marrëveshje.
Ndërkaq, Myriam Ferran nga Komisioni Evropian tha se pret bashkëpunim konstruktiv me Kosovën. Sipas saj, ky është një test i madh për Kosovën.
Ndryshe, Kosova është bërë pjesë e CEFTA-s në vitin 2006. Kjo është hera e dytë që Kosova merr kryesimin e CEFTA-s, kryesim i cili ndryshon çdo vit me rotacion.
Sigal