Kosova me tarifa të reja të energjisë elektrike

745
Qytetarët e Kosovës ka shumë gjasa që të paguajnë faturat e rrymës elektrike sipas strukturës së re tarifore, që është më e thjeshtë.

Zyra e rregullatorit për energji ZRRE, ka propozuar që tarifa e natës për konsumatorët e vegjël të jetë 0.3 cent, kurse tarifa e ditës 0.7 cent për kilovat të shpenzuar. 

Duke pasur si synim që tarifat të jenë sa më të thjeshta për ti kuptuar, për të gjithë konsumatorët dhe me qëllim të përshtatjes së sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga kërkesat ligjore për liberalizim të tregut, ZRRE ka vendosur që të rishqyrtoj strukturën aktuale tarifore. Përmes këtij thjeshtësimi, ZRRE synon të ju mundësojë konsumatorëve krahasim më të lehtë të çmimeve të ofruara nga furnizuesit e ndryshëm që pritet të hyjnë në treg.

Me këtë ndryshim, ndryshon edhe çmimi për kilovat për konsumatorët e vegjël, ka thënë Krenar Bujupi – kryesues i Bordit të ZRRE-së.

“Struktura e re tarifore për konsumatorët shtëpiak tanimë është thjeshtësuar deri në atë masë sa ka vetëm, tarifat e larta dhe tarifat e ulëta d.m.th tarifa e natës dhe e ditës. Tarifa e ditës, propozohet të caktohet në 0.7 cent, ndërsa tarifa e natës propozohet të jetë 0.3 cent gjatë natës. Dhe, kjo tarifë do të jetë në fuqi gjatë gjithë vitit dhe nuk do të ndryshohet pavarësisht konsumit, pavarësisht sezoneve”,- ka thënë Bujupi.

Udhëheqësi i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE Ymer Fejzullahu shpjegoi se struktura e re tarifore mbështetet në thjeshtësi, reflektim të kostos në nxitje të kursimit dhe në parimin e përballimit.

“Çka do të thotë reflektimi i kostos? Do të mundohemi maksimalisht sepse jo domosdoshmërish mund t’i ngarkojmë kostot që i përkasin atij, por maksimalisht do të mundohemi me i nda në një grup i cili e ka përafërsisht konsumin e njëjtë, të krijojmë një kategori dhe të përcaktojmë me ja reflektu kostot në çmimin që ne e përcaktojmë për konsumatorët e vegjël dhe bizneset e vogla”, ka thënë Fejzullahu.

Ndryshe, struktura ekzistuese tarifore për konsumatorët familjarë, ndahet në dy sezone: dimërore dhe verore; pastaj ndarjen në dy kohë të konsumit: gjatë ditës dhe natës; si dhe në tri blloqe tarifore (niveli prej 0 deri 200 kWh, niveli prej 200 kWh deri 600 kWh dhe niveli mbi 600 kWh. Struktura ekzistuese tarifore për konsumatorët komercial është pak më e thjeshtë duke mos pasur blloqe tarifore në bazë të nivelit të konsumit.

Kurse propozimi i ri paraqet ndryshime të rëndësishme për konsumatorët fundorë, e në veçanti për ata familjarë. Një nga ndryshimet esenciale të propozuara është largimi i tarifave sezonale, ku në këtë rast, tarifat do të jenë të njëjta pavarësisht sezonit të konsumit (verë apo dimër) dhe do të përfshijnë të gjithë konsumatorët fundor. Ky propozim vjen si rezultat i ndryshimeve minimale të kostove të furnizimit në mes të sezonit dimëror dhe veror.

Përveç kësaj, gjithashtu do të thjeshtëson të kuptuarit dhe lehtëson mënyrën e kalkulimit nga ana e konsumatorëve dhe furnizuesit. Kështu, tarifa gjatë ditës do të jetë më e lartë dhe do të jetë në mes të orës 07:00 – 22:00, ndërsa tarifa gjatë natës do të jetë më e ulët dhe do të jetë në mes të orës 22:00 – 07:00. Ndryshimi i fundit në propozimin për strukturën e re tarifore ka të bëjë me tarifën fikse e cila do të ulet për konsumatorët familjarë nga 2.5 € në 1.8 €.
Sigal