Kosova me qeveri të re, Kuvendi i dha dritën jeshile Isa Mustafës

422
Sigal

PRISHTINE – Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re të Kosovës, 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit. 73 deputetë kosovarë kanë votuar si kryeministër Isa Mustafën dhe qeverinë e tij, 38 janë shprehur kundër dhe 2 abstenime.

Procedura e votimit, pasoi debatin prej katër orësh të mbajtur në Kuvendin e Kosovës ditën e hënë. Qeveria e re e Kosovës është formuar mbi bazën e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deputejta e LDK-së, Vjosa Osmani  dhe një tjetër deputet i kësaj force politike kanë votuar kundër kundër kryeministrit Isa Musatafa dhe kundër kabinetit qeveritar. Osmani vazhdimisht ka qenë kundër një bashkimi të forcave me PDK-në ndërsa vota e saj kundër është dhënë edhe për kryekuyvendarin Kadri Veseli.

“Falënderoj për këtë besim për të gjithë ju që më votuat, ata që votuan kundër dhe abstenuan sepse është e drejtë e secilit që të votojnë. Natyrisht se kjo vlen për të gjithë ju, por jo edhe për deputetët e LDK-së”, tha Mustafa në fjalimin e tij të parë të mbajtur si kryeministër në Kuvend.

Isa Mustafa mori të hënën mandatin për themelimin e qeverisë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndërsa u propozua nga kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, pak kohë pasi që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nënshkruan marrëveshjen e plotë për bashkëqeverisje.

Sipas marrëveshjes kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, mori postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Sipas saj, zoti Thaçi do të marrë postin e Presidentit pas skadimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga në pranverën e vitit 2016.

Të hënën u mbushën gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zvarritja e ndërtimit të institucioneve e kishte futur Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.


Ky është kabineti i ri qeveritar në Kosovë

Kryeministër: Isa Mustafa

1. Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm
2. Kujtim Shala, zëvendësministër dhe ministër i Kulturës
3. Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër
4. Mahri Jagxhillar, ministër i Administratës Publike
5. Lubomir Mariq, ministër i Pushtetit Lokal
6. Arsim Bajrami, ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë
7. Valon Murati, ministër i Diasporës
8. Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë
9. Abdullah Hoti, ministër i Financave
10. Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik
11. Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve Evropiane
12. Haki Demolli, ministër i FSK-së
13. Aleksandër Jabllanoviq, ministër për Komunitete dhe Kthim
14. Ferid Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
15. Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
16. Edita Tahiri, ministër pa Portofol
17. Rasim Demiri, ministër pa Portofol
18. Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë
19. Skender Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme
20. Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë
21. Hikmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë


Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati përshëndeti sot krijimin e paralamentit dhe qeverisë së re në Kosovë.Me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, Ministri Bushati shkruan se inkurajojmë që të ecet përpara në qasjen ndaj plotësimit të prioriteteve të BE-së.

BE përshëndet zgjedhjen e qeverisë

Zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës e kanë përshëndetur përmes një deklarate të përbashkët Zyra e Bashkimit Evropian dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë. 

“Para Kosovës paraqiten shumë sfida, nga bërja e reformave politike dhe ekonomike, deri te bërja prioritet e zhvillimit socio-ekonomik dhe punësimit, nga ripërtrirja e përkushtimit ndaj dialogut me Beogradin, deri te vendosja e theksit në qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe rritje të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit, bashkëpunim të plotë me EULEX-in dhe krijimin e gjykatës speciale”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve evropian në Kosovë. 

Të gjitha këto prioritete, vijon deklarta, janë qenësore për zhvillimin e Kosovës dhe rrugën e saj evropiane. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të gatshme për të mbështetur Kuvendin dhe qeverinë në punën e tyre.