Kosova hyn në axhendën për anëtarësim në INTERPOL (Dokument)

139
Shteti i Kosovës shumë shpejt mund të jetë pjesë e INTERPOL-it nëse i siguron votat e mjaftueshme të shteteve anëtare. Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock, e ka njoftuar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn, se anëtarësimi i Kosovës ka hyrë në agjendën e INTERPOL-it – Policisë Ndërkombëtare.
Gjithçka do të ndodhë në Dubai, në nëntor të këtij viti. Në letrën njoftuese drejtuar ministrit të Brendshëm të Kosovës, Stock, thotë se ndihet i nderuar që për këtë është diskutuar në Komisionin Ekzekutiv të INTERPOL-it, i cili e ka pranuar aplikacionin e Kosovës, raporton Express.
Stock, në letër ka shprehur falënderim për interesimin që, sipas tij, e ka dëshmuar Republika e Kosovës për t’iu bashkuar INTERPOL-it.
Vitin e kaluar autoritetet në Kosovë deklaruan se kishin hequr dorë nga anëtarësimi në INTERPOL, Asambleja e Përgjithshme e së cilës u mbajt në 26 deri 27 shtator 2017, për shkak se nuk kishte votat e mjaftueshme.

Kjo është letra e plotë e sekretarit të përgjithshëm:
I nderuar ministër,
I referohem aplikacionit në pritje për anëtarësim në INTERPOL nga Republika e Kosovës.
Jam i nderuar të ju njoftoj se Komisioni Ekzekutiv i INTERPOL-it, në takimin më 6-8 mars, gjatë sesionit të 197-të, ka diskutuar aplikacionin për anëtarësim të Republikës së Kosovës në INTERPOL.
Në përputhje me dispozitat e artikullit të katërt të Kushtetutës së INTERPOL-it dhe Rezolutës së Përgjithshme të Asamblesë GA-2017-86-RS-01, aplikacioni i Republikës së Kosovës për INTERPOL është vendosur që të shqyrtohet në agjendën e përkohshme të sesionit të 87-të të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it.