Kosova 7 vjeçe, Mustafa: Pres që azilkërkuesit të rikthehen si më 1999

460
Sigal

Kosova shënon sot 7 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në Ditën e Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës po zhvillon edhe një një seancë solemne e cila ka nisur në orën 15:00, kohë kur para shtatë vitesh, në 17 Shkurtin historik 2008, u mblodh për shpalljen e shtetit të ri evropian, të njohur deri tani nga 108 shtete anëtare të OKB-së.

Ndërkohë, në gjithë Kosovën po vazhdojnë festimet institucionale e gjithëpopullore.

Për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, kosovarët nuk e ndërrojnë lirinë e tyre me azilin, kjo sipas tij u pa me kthimin masiv në vitin 1999, ku shumë kosovarë lanë vendet e Evropës për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Ora 15:35 Isa Mustafa: Varfëria dhe krimi i lartë i krimit janë sfida para nesh.
“Popullit të Kosovës i është dashur të sakrifikojë për të arritur ditën e Pavarësisë. Duhet t’i nderojmë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Varfëria dhe krimi i lartë i krimit janë sfida para nesh. Duhet t’i zgjidhim këto. Duam të ndërtojmë një shtet që të flakim skamjen e korrupsionin. Do të punojmë për ët vënë rende e ligj për të siguruar shtet të së drejtës. Të gjithë ne do të respektojmë votën e ligjin. Kemi program konkret për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Realizimi i këtij programi do të ndikojë në rritjen ekonomike dhe do të hapë perspektiva të reja. Do reformojmë sektorin publik. Do të reformojmë sistemin e pagave. Vëmendje do t’i kushtohet edhe procesit të integrimit. Kosovarët nuk janë popull që jetojnë me ndihma. Kosovarët në 1999 nuk e këmbyen lirinë e tyre me azil. Qeveria synon që procesi i dialogut të jetë pozitiv për të dy vendeve. Kjo do të thotë njohjen respektove të të dy vendeve dhe integrimin e Kosovës.”- tha Mustafa.

Ora 15:15 Kadri Veseli: Duhet të shohim rrugën që kemi bërë
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën solemne me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë, tha se pa sundim të ligjit s’do ketë përparim në integrimet evropiane, nuk do të ketë siguri për qytetarët dhe as investime të huaja që ndikojnë në jetën tonë.

Veseli shtoi se Kosova gjatë këtyre viteve ka ecë përpara në zhvillimin ekonomik por vend për mburrje nuk ka sepse vazhdojmë të përballemi me sfida të mëdha.

“Duhet të shohim rrugën që kemi bërë, rritja ekonomike ka ecuar para. Duhet të vijojmë të punojmë me aleatët se vetëm kështu duhet të ecim përpara. Për këtë ne kemi mbështetur edhe dialogun me Serbinë. Kosova do të dalë e fituar nga ky dialog. Kosovën ta heqim nga lista e vendeve ku ka probleme. Pa sundim të ligjit askush nuk do të investojë.Ne nuk kemi dilema për vlerat tona. Kosova është një tregim i suksesit. Kosova nuk do të jetë vend që do të gjenerojë ekstremizëm toleranca është parimi ynë. Më 5 Mars 1998 e kuptuan se lufta kishte vetëm një synim, lirinë. Bota dhe Kosova po përjetonte një ngjarje madhështore. Respektim dhe nderim për të gjithë ata liderë botërorë që u rreshtuan përkrah Kosovës.” – tha kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ora 13:32 Festimet për Pavarësinë në Prishtinë “të vakta”
Qindra qytetarë kanë dalë në sheshin e Prishtinës, me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë. Sheshet e kryeqytetit kosovar janë mbushur nga qytetarë të shumtë të cilët në mungesë të organizimit të aktiviteteve festive duket teksa vetëm shëtisin përgjatë bulevardit.

Situata në shesh paraqitet monotone dhe e vetmja pjesë gjallëruese janë tingujt muzikorë nga grupe këngëtarësh, që performojnë në shesh me muzikë tradicionale popullore.
Disa qytetarë shprehen se pas 7 viteve shtet, nuk janë të kënaqur me shndërrimin që ka pësuar vendi. Qytetarët përmendnin krizën e rëndë sociale, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe ikjet e qytetarëve gjatë periudhës së fundit, si protestë për gjendjen e rëndë në vend.

Duke patur parasysh këtë situatë, ka dhe qytetarë që e justifikojnë komunën e Prishtinës, për mos organizimin e aktivitete në ditën e pavarësisë.

Ora 09:00 Krerët e shtetit nderojnë të rënët
Axhenda zyrtare ka filluar me krerët e shtetit dhe ata politikë që kanë bërë homazhe tek varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se, këto homazhe janë në nder të “ideatorit të pavarësisë”, ndërsa shtoi se sot Kosova ka perspektivë të qartë evropiane.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa e cilësoi Rugovën si njeriun që hodhi themelet e pavarësisë. “Ne vlerësojmë kontributin e tij që ky shtet të jetë demokratik dhe që ne të mburremi me të”, tha Mustafa.

Axhenda ka vijuar me homazhet në nder të komandantit Adem Jashari në Prekaz. Presidentja Jahjaga deklaroi se, vizitoi Prekazin për të bërë nderimet institucionale dhe njerëzore për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për pavarësinë. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri Mustafa, i cili e cilësoi familjen Jashari si “simbol të ekzistencës së Kosovës”.

Nuk munguan homazhet edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Urime qytetarëve të Kosovës, urime shqiptarëve, urime liridashësve. Faleminderit atyre që u flijuan për këtë ditë, të cilën e shohim edhe si një mesazh se na presin shumë punë përpara. Siç kemi ditur dikur në kohë të vështira, edhe tani të gjejmë forcën që të ecim përpara”, tha Haradinaj.

Më vonë, në sheshet qëndrore të Prishtinës do të interpretojë Ansambli Shota. Në axhendën festive të qeverisë përfshihet si eveniment edhe ndarja e çmimeve letrare nga Ministria e Kulturës.

Ndërsa siç është traditë, në orën 15 do të mbahet edhe një seancë solemne e Kuvendit. Pas një pritjeje nga presidentja dhe kryeministri, mbrëmja festive zyrtare do të mbyllet me ndezjen e organizuar të fishekzjarreve në qendër të Prishtinës.

Kosova 7 vjeçe, festa e Pavarësisë zbehet nga eksodi i dytë i qytetarëve

Kësaj radhe festa e pavarësisë po kalon në frymën e diskutimeve mbi migrimin e paligjshëm të disa mijëra qytetarëve të Kosovës.

Ky fenomen, sipas shoqërisë civile vjen si rezultat i gjendjes së rënduar sociale dhe humbjes së besimit në institucione.Festa e pavarësisë, po shënohet pak kohë pas çarjeve të thella të spektrit politik, në pushtet dhe opozitë që u reflektuan edhe me protestat e fundit që rezultuan në dhunë të hapur mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Raportet e tensionuara ndërmjet pushtetit dhe opozitës po reflektohen edhe në festën e këtij viti. Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga një politikan opozitar, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka anuluar gati se të gjitha aktivitetet e zakonshme festive në kryeqytet.

Kurse nga institucionet qendrore, në agjendë janë vënë homazhet e liderëve institucional te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe është caktuar mbajtja e një seance solemne të Kuvendit të Kosovës.

Këtë përvjetor, në Prishtinë nuk do të parakalojnë trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Vitin e kaluar, ish-kryeministri Hashim Thaçi, kishte premtuar se parakalimi i vitit 2014, do të ishte i fundit për FSK-në, pasi që më 2015, sipas tij, do të parakalonte Ushtria e Kosovës me emrin Forcat e Armatosura të Kosovës. Megjithatë, një premtim i tillë ka mbetur ende vetëm në letër.

Për 7 vjet pavarësi, Kosova u njoh nga 108 vende të botës si dhe siguroi anëtarësimin në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me të gjitha vështirësitë, Kosova vazhdon të shënojë një rritje ekonomike prej afër 4 për qind, sado që ekspertët e vlerësojnë si të pamjaftueshme për zhvillimin e saj ekonomik dhe zbutjen e papunësisë.

Krijimi i shtetit të Kosovës, është vlerësuar se i ka dhënë një dimension të ri paqes e stabilitetit në rajon.Por, pengesë kryesore mbeten raportet me Serbinë, të cilat tashmë po reflektojnë edhe në mospërmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Mosnjohja nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, në njërën anë dhe pamundësia që të bëhet vend anëtar i Kombeve të Bashkuara për shkak të mosnjohjes nga vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit si Rusia, por edhe Kina, e lënë Kosovën si një vend me subjektivitetin ndërkombëtar të papërfunduar.

Që ky hendek të ngushtohet sadopak, Bashkimi Evropian ka inicuar tashmë një dialog Kosovë – Serbi përmes së cilit po përpiqet të arrijë një normalizim raportesh mes dyja vendeve, si hapi i parë që do të qonte kah zbutja e qëndrimeve të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën në të ardhmen.

Bashkimi Evropian i ka hapur perspektivën e kushtëzuar evropiane Kosovës përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimit të vizave, ndonëse të dyja këto procese po zgjasin dukshëm më shumë sesa që kanë premtuar institucionet e Kosovës.

Nga aspekti i zhvillimit të brendshëm, përveç sfidave të vazhdueshme të shtrirjes së sovranitetit në veri, Kosova po ballafaqohet edhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Periudha mes kremtimit të 6 dhe 7 vjetorit të pavarësisë, u karakterizua edhe me fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftë në Siri e Irak. Rreshtimi i tyre ishte në krah të organizatave të shpallura terroriste si forcat militante te shtetit islamik apo edhe organizatës Al Nusra.

Më 11 gusht, Policia e Kosovës kishte arrestuar 40 persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, pas bastisjeve të kryera në 60 lokacione. Problemin me ekstremizmin islam e ka adresuar në shumë raste edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo në disa raste e ka përsëritur se Kosova “nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe ritheksoi qëndrimin se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues”.

Sidoqoftë, lënë anash krizën politike, thellimin e varfërisë, ekstremizmin dhe migrimet ilegale, periudha mes 6 dhe 7 vjetorit të pavarësisë do të mbahen në mend edhe për suksesin e sportit dhe sportistëve të Kosovën në arenën ndërkombëtare. Xhudistja Majlinda Kelmendi u shpall kampione e botës. Përderisa, pas negociatave të shumta, përfaqësueses së Kosovës në futboll iu lejuan ndeshjet miqësore nën emblemën e FIFA-s. Një sukses tjetër i madh në fushën e sportit për Kosovën ishte pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

TIRANE – Në 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës mesazhe urimi kanë dalë dhe nga Tirana. Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar një letër homologes kosovare ku përcjell përcjell urimet më të mira për mirëqenien dhe begatinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. 

Kreu i Shtetit thotë se në këto 7 vite pavarësi, Kosova është një shembull suksesi. Sipas Presidentit pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, ndërsa tani duhet që të jetë pjesë e hapësirës europiane. 

Edhe Kryeministri Edi Rama i është bashkuar urimeve të politikës shqiptare për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke shprehur njëkohësisht edhe nderimin e tij më të thellë për të rënët e luftës. 

Nga ana e tij Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologut të tij Kadri Veseli ku thekson mbështetjen e Shqipërisë dhe aleatëve ndërkombëtarë për Kosovën. Sipas Metës Pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet për rajonin.
 
Ndërkohë Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i pari që shprehu urimin për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa e cilësoi këtë ditë historike të një gëzimi legjitim të shqiptarëve kudo ku janë.

Ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha në urimin e tij, ka vlerësuar ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe ish-Komandantin e UÇK-së Adem Jashari ku sipas tij falë kontributit dhe sakrificave të këtyre heronjve u arrit Pavarësia e Kosovës.


7 vjetori i pavarësisë së Kosovës politika shqiptare mesazhe urimi 
Mesazhi i Presidentit Bujar Nishani
Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, përtej marrëdhënieve ndërshtetërore, janë marrëdhënie vëllazërore, që i shërbejnë më së miri bashkëpunimit të gjithanshëm e strategjik në të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por dhe bashkëpunimit në nivel rajonal e evropian. Kosova sot është një shtet i pavarur dhe unë ndjehem shumë i lumtur që në këto shtatë vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe koha po tregon se mbështetja e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit si dhe të hapësirës evropiane. Kam, gjithashtu, kënaqësinë që në këtë Ditë të Pavarësisë, të përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të shpreh mbështetjen e palëkundur të të gjitha institucioneve të Republikës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare. Jam i bindur se shumë shpejt, Kosova do të zërë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, Ju lutem pranoni e nderuar Zonja Presidente, konsideratat e mia më të larta.

Rama: Nderim për të gjithe të rënët në luftën çlirimtare
Kryeministri Edi Rama gjithashtu ka uruar 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në një status në rrjetin social Facebook Rama shkruan: “Gezuar Diten e Pavaresise se Kosoves me nderimin e thelle per te gjithe te renet ne luften çlirimtare!”

Meta: Pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet në rajon
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologut të tij Kadri Veseli me rastin e 7 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në letrën e tij Kryeparlamentari Meta vlerëson kontributin dhe sakrificat e figurave historike si ish-Presidenti Ibrahim Rugova dhe komandanti i UÇK-së Adem Jashari.

Po ashtu Meta shpreh vlerësimin e tij edhe për arritjet e deritanishme të Kosovës, duke shtuar se shteti më i ri i Ballkanit ka krijuar paqe dhe stabilitet në rajon. Meta thekson se si Shqipëria ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë do të mbështesin Kosovën drejt të ardhmes së saj të sigurt në Bashkimin Evropian dhe njohjes edhe më të madhe nga ana e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Më poshtë letra e Kreut të Kuvendit Ilir Meta dërguar homologut Kadri Veseli:

I nderuar Zoti Kryetar,

Me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë. Sot është një ditë e shënuar jo vetëm për popullin e Kosovës por për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë politikën e mençur dhe vizionare të Presidentit Ibrahim Rrugova dhe të gjithë së bashku nderojmë e përulemi përpara sakrificës së heronjve të UÇK-së me në krye Komandantin legjendar Adem Jasharin. Shtatë vjet pas aktit të guximshëm e historik të shpalljes së pavarësisë, akt i cili i ka shërbyer jo vetëm lirisë dhe begatisë së popullit të Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë, jemi krenarë për arritjet dhe sukseset e deritanishme, dhe ndjehemi shpresëplotë për të ardhmen e sigurt të Kosovës në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do vazhdojnë t’a mbështesin fuqimisht forcimin demokratik e institucional të Kosovës, shtimin e njohjeve të saj ndërkombëtare si dhe konsolidimin e perspektivës evropiane për të gjithë qytetarët e Kosovës. Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për lumturi e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.

Basha: Ditë krenarie, rruga më e sigurtë 
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qënë i pari që ka uruar 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në një status në rrjestin social Facebook, Basha shkruan se kjo është një ditë krenarie e gëzimi legjitim. Kreu i opozitës shqiptare shkruan se i bashkohet këtij gëzimi si mik dhe aleat. Sipas tij sot festohet një arritje e madhe historike, e për këtë duhet të falenderohen SHBA, NATO dhe vendet europiane. Basha thekson se rrugëtimi i nisur ende s’ka mbaruar, por sipas tij rruga e zgjedhur është më e sigurta për të ardhmen.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Në këtë përvjetor të shtatë të pavarësisë së Kosovës, kam nderin,krenarinë dhe gëzimin ti uroj popullit te Kosovës,institucioneve të saj dhe mbarë shqiptarëve kudo ndodhen , Gëzuar Pavarësinë e Kosovës. Kjo e sotmja është një ditë krenarie e gëzimi legjitim për cdo bashkëkombas në cdo skaj të globit, kudo ku jeton, punon e me dashuri ndjek ecjen e kombit të tij në rrugën e lirisë dhe zhvillimit. Kësaj krenarie e gëzimi sot i bashkohem dhe unë. I bashkohem si një i ri i cili ndjeu në palce ëndrrën e familjareve te tij, dëshirën e vëllezërve në Kosovë për liri e pavarësi, i bashkohem si një deshmitar që përshkoi hapat e pavarësimit të Kosovës, hapa jo të lehte, mbushur me dhimbje, krenari e plot dinjitet. I bashkohem si shtetari që Zoti e bekoi me mundësinë të jetojë e kontribuojë në momentin historik të kurorëzimit të procesit madhor të pavarësimit të Kosovës, si dhe për realizimin e një vepre infrastrukturore të pakrahasueshme në dekada e që bashkoi shqiptaret, Rrugën e Kombit.
I bashkohem këtij gëzimi me premtimin, sot si lider i opozitës shqiptare dhe nesër ne krye të një shumice qeverisëse, se me cdo forcë demokratike në Kosove do të shnderrojmë në yll polar të politikës e punës tonë, ndërtimin e një Ballkani në paqe, te sigurtë, të zhvilluar dhe të integruar në bashkësinë euroatlantike, si pjesë solide e projektit tonë kombëtar. Sot ne së bashku festojmë një arritje të madhe historike për kombin tonë. Në këtë ditë, ashtu sic në cdo ditë e brez pas brezi, kujtojmë dhe përulemi me nderimin dhe mirënjohjen me te thelle, para presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, intelektualëve, veprimtareve, bijëve dhe bijave të kombit tone që dhanë jetën për ta gëzuar këtë ditë. Sot rikonfirmojmë mirënjohjen tonë të përjetshme për miqtë dhe aleatët e mëdhenj që mundësuan e ndihmuan ëndrrën e Kosovës së pavarur, SHBA , NATO dhe vëndet mike Europiane, mirënjohje qeverive të cdo vendi që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan realizimin e aspiratës thelbesore të një populli, ëndrrën e lirisë. Me një mesazh zemre dua ti drejtohem sot cdo qytetari të Kosovës: Deri më sot ne kemi arritur shumë, por rrugëtimi ynë ende ska mbaruar, ai shpesh na ballafaqon me vështirësi e të perpjeta, shpeshherë na sprovon e na mundon, por rruga qe kemi zgjedhur është e drejta , është me e qarta, është me e sigurta për të ardhmen tonë si komb. Ta përshkojmë së bashku këtë rrugetim, duke u mbështetur në krahe të njeri-tjetrit, me bindjen se po ecim në rrugën e duhur ,me bindjen se na mbështesin miq të vërtetë, ta përshkojme këtë rrugë me force e dinjitet, me besimin në Zot dhe në virtytet e kombit tone.  Është rruga e një Kosove më të mirë e një Shqipërie më të mirë, të bashkuar në aspiratën europiane, është rruga drejt të ardhmes tonë të sigurt. Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Zoti i bekoftë shqiptarët anembanë globit.” shkruan Basha


Berisha: Mirënjohje heronjve Rugova e Jashari që sollën Pavarësinë
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka uruar Kosovën me rastin e 7 vjetorit të Pavarësisë së saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar pavarësinë e Kosovës, si ngjarjen e dytë më të rëndësishme të lirisë dhe të drejtave të njeriut, që pas rënies së Murit të Berlinit.
 
Berisha ka shprehur mirënjohjen e tij për arkitektin e Pavarësisë, ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe për ish-komandantin e UÇK-së Adem Jashari që sipas tij, me mundin dhe sakrificën e tyre bënë realitet që Kosova të jetë e pavarur.
 
Po ashtu Berisha ka vlerësuar edhe kontributin dhe mbështetjen e BE-së, SHBA-së dhe NATO-s në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
 
Më poshtë postimi i plotë në rrjetet sociale të Sali Berishës:
 
“Gezuar Pavarsine e Kosoves! Te dashur miq, sot qytetaret e Kosoves dhe se bashku me ta mbare kombi shqiptare, festojne 7 vjetorin e pavaresise se Kosoves, ngjarjen me te rendesishme te pas renies se Murit te Berlinit ne historine e lirise jo vetem te shqiptareve por dhe te rajonit dhe Europes ne teresi. Sot ne perkulemi me mirenjohen me te thelle, veneracionin me madh, para arkitektit te Kosoves se pavarur, politikanit vizionar e burrit te shtetit te pashembullt ne historine tone kombetare, presidentit Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova udhehoqi rezistencen paqesore te popullit te Kosoves dhe nen shtypjen me te eger krijoi shtetin e tyre paralel qe paralizoi de fakto administraten e pushtuesit. Ikone e rezistences paqesore te kombit, presidenti Rugova me urtine e tij te madhe, civilitetin e admirueshem dhe vendosmerine e tij te pathyeshme, paraqiti dhe mbrojti ceshtjen e drejte te shqiptareve te Kosoves ne Shtepine e Bardhe dhe kancelarite e medha te tjera te Europes dhe botes. Ai udhehoqi pas çlirimit Kosoven e lire drejt Pavaresise. Kosova sot eshte e pavarur sepse ne patem burra si Ai. Kete dite te bekuar per Kosoven dhe mbare kombin tone, ne perulemi me nderimin me te madh, shprehim mirenjohjen me te pakufishme dhe krenarine e ligjshme per kryeheroin e shqiptareve, komandanin legjendar Adem Jasharin, per mijera martire qe prehen sot ne altarin e lirise e dhjetera mijera luftetare, qe me nje kurajo e trimreri ne kufijte e legjendes i kthyen pushken pushtuesit barbar ne te kater anet e Kosoves. Ata bene luften e fundit clirimtare ne Europe mbrojten me gjakun e jeten e tyre lirine dhe dinjitetin tone kombetar dhe me sakrificen e tyre sublime firmosen lirine dhe pavaresine e Kosoves. Kosova sot eshte e pavarur sepse ne patem kryehero si Ai dhe heronj si Ata. Por sot çdo shqiptar shpreh nderimin dhe mirenjohjen me te thelle per aleatin tone te madh SHBA, NATO-n dhe vendet anetare, Presidentin Klinton, qe udhehoqi Aleancen ne betejen per clirimin e Kosoves. Falenerojme nga zemra Presidentin George Ë Bush per rolin e tij percaktues ne pavaresine e Kosoves dhe te gjithe ato vende mike qe e kane njohur Kosoven si shtet te pavarur. Sot ne jemi krenar me Kosoven, e cila ne 7t vjetorin e pavaresise ecen e sigurte drejt horizonteve euro-atllantike dhe europiane si nje faktor paqe, stabiliteti dhe bashkepunimi ne rajon dhe me gjere. Gezuar dhe nje here ditelindjen e Kosoves! Urimeee! sb” shkruan Berisha