Korrupsioni në EULEX, Lunaçek jep alarmin:Siguria e BE në rrezik

71

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, pohon se është duke hetuar dyshimet se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale, por nuk pranon të komentojë për hetimet e as dokumentet që kanë rrjedhur dhe janë botuar në një seri shkrimesh në mediat e Kosovës.

Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna.

Shefi i këtij misioni, Gabriele Meucci, ka thënë se dyshimet po hetohen për një kohe të gjatë, por nuk pranoi të jap më shumë hollësi rreth tyre.

Ndërkohë Ulrike Lunaçek, drejtuese e delegacionit të Gjelbërve të Austrisë në Parlamentin Evropian dhe ish-raportuesja për Kosovën në këtë institucion ka theksuar se këto akuza duhen hetuar menjëherë dhe më pas të behn publike.

Kredibiliteti i tërë politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së sipas saj është në rrezik, për faktin se EULEX-i është misioni më i madh dhe më i rëndësishëm i Politikës së Përbashkët për Mbrojtje dhe Siguri (CSDP).

“Një raport i Gjykatës së Auditorëve së fundmi ka vënë në dukje disa mangësi të këtij misioni. Unë vetë, në të kaluarën, disa herë kam ngritur çështjen e mosefikasitetit, veçanërisht në adresimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar në Kosovë, si dhe problemet që kanë të bëjnë me periudhën e kufizuar të shërbimit të gjyqtarëve të huaj për shkak të rregullave të shteteve anëtare të BE-së, gjë që mes tjerash, ka dëmtuar suksesin e hetimeve që janë duke u kryer”, ka thënë Lunaçek.

Ajo i ka kërkuar Komitetit të Punëve të Jashtme të merret sa më shpejt që të jetë e mundur me këtë çështje.