Koreja e Veriut zhvillon armë bërthamore, sfidon sanksionet e OKB-së

560
Nga Cheryl PELLERIN, Seksioni i lajmeve, Departamenti i Mbrojtjes së SHBA
Sekretari Mattis dhe Gjeneral Dunford, mbi opsionet e mundshme ushtarake me Korenë e Veriut
Në një konferencë shtypi të mbajtur pasditen e datës 3 shtator, para Shtëpisë së Bardhë, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis, sqaroi qëndrimin e SHBA pas testit të fundit bërthamor, më i madhi i kryer nga Koreja e Veriut. Zoti Mattis tha se, Shtetet e Bashkuara kanë shumë opsione ushtarake për t’u marrë me provokimet e Kim Jong Un dhe ne e informuam Presidentin Donald J. Trump për secilën prej tyre në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë Konferencë zoti Mattis shoqërohej nga Gjeneral Joe Dunford, Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit të ushtrisë Amerikane. Fillimisht zoti Mattis tregoi një hartë, ku tregohet tërmeti i shkaktuar nga shpërthimi i bombës me hidrogjen. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet Programit nga rreziku i Tërmeteve {USGS}, i lidhur me rrjetet rajonale sizmike, tregon një hartë mbi situatën e krijuar nga tërmeti i magnitudës 6.3, i ndodhur 3 shtator 2017, 22 kilometra në Lindje-Verilindje të Sungjibaegam, Koreja e Veriut. Kjo hartë lëvizëse e realizuar në kohë reale tregon intensitetin e tërmetit mbas shpërthimit të bombës, tha zoti Mattis. 

Rreth orës 11:30 të mëngjesit, EDT, Shërbimi për paralajmërimet nga rreziqet e tërmeteve në SHBA, zbuloi një shpërthim të magnitudës 6.3, rreth 13 kilometra në lindje-verilindje të Sungjibaegam, Koreja e Veriut, i cili ndodhet pranë vendit ku Koreja e Veriut ka kryer shpërthimet bërthamore në të kaluarën, sipas një deklarate të USGS. Institucione dhe organizata të tjera të specializuara për zbulimin sizmik gjithashtu raportuan shpërthimin dhe rezultatet e pasojave sizmike, që shkaktoi shpërthimi. Ndërkohë Agjencia Qendrore Koreane njoftoi se, shkencëtarët e Koresë së Veriut kishin kryer në bazën veriore të testimit nuklear, testin e një bombe hidrogjeni të ndërtuar për t’u vendosur në kokën e një rakete balistike ndërkontinentale, duke e përshkruar pajisjen si një armë termonukleare me dy faza. Raportet e medias thonë se, testi ishte më i fuqishmi nga gjashtë shpërthimet paraardhëse që nga v.2006, por ende nuk ka matje zyrtare të forcës së armës së hidrogjenit. Arma e testuar mbrëmë ishte një bombë shkrirëse, e quajtur bombë hidrogjeni ose armë termonukleare. Armët e këtij lloji, të tilla si ato që ranë në Hiroshima dhe Nagasaki në Luftën e Dytë Botërore, nganjëherë quhen bomba atomike. Për një bombë me hidrogjen, sipas një dokumenti të vitit 2012, nga Martin E. Hellman, një profesor i Universitetit të Stanfordit, atomizimi është një element primar që shkakton eksplozionin dhe ndezjen e mbushjes me hidrogjen. Qendra e Zbatimeve Teknike të Forcave Ajrore në Bazën Ajrore të Patrick, Florida, është organizata e vetme federale, misioni i së cilës është zbulimi dhe raportimi i të dhënave teknike nga shpërthimet e huaja bërthamore. Qendra operon dhe mirëmban një rrjet global të pajisjeve të zbulimit të ngjarjeve bërthamore, të quajtur 3.600-sensorët, rrjeti më i madh i sensorëve në Forcat Ajrore, që janë përfshirë në Sistemin e Zbulimit të Energjisë Atomike të SHBA. Kur zbulohet një shpërthim nëntokësor, nënujor, në atmosferë ose në hapësirë, ngjarja analizohet për efektet bërthamore dhe gjetjet raportohen tek autoritetet komanduese kombëtare.

Qëndrim i hekurt
Në komentet e tij, zoti Mattis tha se, i kishte bërë të qartë presidentit se Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë për të mbrojtur veten dhe aleatët e saj, – Korenë e Jugut dhe Japoninë – nga çdo sulm.

“Angazhimet tona në mesin e aleatëve janë të hekurta” shtoi sekretari. “Çdo kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara ose territoreve të tij, duke përfshirë territorin e SHBA, Guam, ose aleatët tanë, do të shoqërohet me një reagim masiv ushtarak, një përgjigje efektive dhe e madhe”.

Një zë i unifikuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu zoti Mattis tha se Kim Jong Un, duhet të marrë parasysh zërin e unifikuar të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Të gjithë anëtarët e këtij këshilli, ranë unanimisht dakord mbi kërcënimin që paraqet Koreja e Veriut dhe ata mbeten unanim në angazhimin e tyre për denuklearizimin e gadishullit Korean,” tha ai. Koreja e Veriut ka sfiduar sanksionet e OKB-së dhe presionin ndërkombëtar për të zhvilluar armë bërthamore dhe raketa provë, që potencialisht mund të arrijnë SHBA-të.

“Ne nuk jemi duke kërkuar për asgjësimin total të një vendi, përkatësisht Korenë e Veriut, por siç thashë, ne kemi shumë mundësi për ta bërë këtë”, shtoi Mattis.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara njoftoi se, do të ketë një takim për testin bërthamor të Koresë së Veriut, mëngjesin e datës 4 shtator.
Përktheu Shefqet Kërcelli



Sigal