Koreja e Veriut kërcënon: Do kryejmë teste raketash çdo javë

534
Përkundër paralajmërimeve të SHBA, Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të kryejë teste të raketave “çdo javë”.

Deklarata erdhi ndërsa zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, ndodhet për një vizitë në Japoni për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë.

Zëvendësministri i Jashtëm i Phenianit, Han Song-Ryol, tha se programi bërthamor i Koresë së Veriut mund të eskalojë: “Ne do të kryejmë teste të raketave çdo javë, muaj dhe vit”.

E teksa Kim Jong-un kërcënon për një luftë të pashmangshme bërthamore, bashkësia ndërkombëtare ende është në dilemë lidhur me shkaqet që kompromentuan testin e raketave të dielën e kaluar në Korenë e Veriut.

Ashtu si eksperimentet e tjera të ngjashme që e paraprinë asaj, ekzistojnë dyshimet se raketa të jetë sabotuar në distancë nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet sulmeve kibernetike nga hakerat e Inteligjencës në Uashington.

Kjo teori nuk po qarkullon vetëm në portale dhe rrjete sociale. Ajo mbështet edhe nga politikani britanik, konservatori Sir Malcolm Rifkind, ish-Ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes në qeverinë e John Major, i cituar nga disa media, përfshirë britaniken “Telegraph”.

Ky konspiracion na kthen në vitin 2014, kohë kur Presidenti amerikan Barak Obama kishte urdhëruar intensifikimin e përpjekjeve për të kontrolluar raketat e Koresë së Veriut me luftë elektronike dhe pirateri.

Hipoteza është konfirmuar edhe në fjalët e një këshilltari të ekspertëve në Shtëpinë e Bardhë, që gjendet në udhëtim me zëvendëspresidentin Mike Pence, i cili deklaroi se shërbimet inteligjente të Shteteve të Bashkuara kanë pasur nën kontroll raketën para dhe pas nisjes së dështuar.
Sigal