Kongresmeni Engel: “Zgjedhjet treguan se Shqipëria është demokraci në lulëzim”

596
Sigal

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, demokrati në krye të Komitetit të Kongresit për Punët e Jashtme, lëshoi deklaratën e mëposhtme mbi zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Deklarata vijon:

“Me zgjedhjet e saj të suksesshme, Shqipëria ka treguar edhe njëherë se është një demokraci në lulëzim. E përgëzoj Edi Ramën dhe koalicionin socialist për fitoren e tyre dhe pres të ardhmen për të punuar me qeverinë e re. Udhëheqësit politikë të Shqipërisë dhe populli, ministrat e kabinetit të ardhshëm, anëtarët e opozitës dhe i gjithë spektri politik duhet të dijë se Kongresi Amerikan qëndron krah për krah me Shqipërinë.

Me këto zgjedhje ju i keni dërguar një mesazh të qartë Bashkimit Evropian, që jeni gati për statusin e vendit kandidat; marshimi juaj drejt anëtarësimit në BE vazhdon. Gjithashtu do të doja të falënderoja Kryeministrin Sali Berisha për shërbimin e tij ndaj kombit të tij. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara gjatë qeverisjes së tij, duke përfshirë anëtarësimin në NATO, dhe unë i uroj atij më të mirën për të ardhmen.

Si bashkë-kryetar i Komitetit për Çështjet Shqiptare, shqiptarët mund të marrin për të mirëqenë mbështetjen time të vazhdueshme në udhëtimin e tyre historik; pak vende në botë kanë lëvizur në mënyrë kaq të shpejtë siç ka bërë Shqipëria nga një sistem totalitar jo dinjitoz drejt një sistemi dinjitoz dhe premtues i një demokracie të pjekur. Të gjithë shqiptarët kanë shumë arsye për të qenë krenarë sot”.