Kongresmeni amerikan: Serbia po provokon, ndalimi i Haradinajt i paarsyeshëm

71
Eliot Engel, miku i shqiptarëve dhe përfaqësuesi i demokratëve në Kongresin amerikan, ka folur përsëri për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë dhe e ka quajtur këtë veprim si totalisht të paarsyeshëm.
“Serbia ka manipuluar me Interpolin duke provuar të ketë një gjykim të tretë për Ramush Haradinajn, në esencë të njëjtën çështje. Kjo për mua është e paarsyeshme dhe tregon sjelljen e keqe nga ana e Qeverisë së Serbisë”, ka thënë Engel në fjalimin e tij.

Por përpos çështjes së Haradinajt, amerikani ka folur edhe për provokime të tjera që Serbia i ka bërë kohëve të fundit Kosovës.

“Serbia vazhdimisht ka provuar ta bëjë sa më të vështirë për Kosovën rrugën drejt Bashkimit Evropian. Serbia së fundmi dërgoi në veriun e Kosovës një tren propagandistik që kishte të shkruar në 21 gjuhë fjalinë ‘Kosova është Serbi’. Po ashtu inicioi ndërtimin e një muri në Mitrovicë, tani muri është rrëzuar, por duke lënë pasojat pas”, ka thënë Engel.

Ai ka përmendur disa nga sukseset e Kosovës, ndërsa ka thënë se megjithatë vendi i ri evropian nuk është perfekt, “por vend perfekt nuk është as Amerika”, shtoi Engel.