Kongresi dënon përleshjet para ambasadës turke në SHBA

613
Në Shtetet e Bashkuara, Komisioni i Jashtëm i Dhomës së Përfaqësuesve dënoi zyrtarisht të enjten, përmes një rezolute, shtypjen me dhunë të protestave përpara ambasadës turke në Uashington javën e kaluar.
“Rezoluta i çon një sinjal të qartë qeverisë turke, se nuk kemi për të lejuar asnjë qeveri të huaj të shtypë të drejtat e qytetarëve tanë”, theksohet në një deklaratë të komisionit, pas miratimit të Rezolutës 354, ku dënohet dhuna kundër një proteste paqësore.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, e falenderoi komisionin, duke mbështetur edhe ai shqetësimet e kolegëve të tij lidhur me incidentin. Shqetësime për këtë çështje kanë shprehur këto ditë ligjvënës dhe diplomatë amerikanë.
Përleshjet ndodhën mes personelit turk të sigurisë dhe protestuesve, përpara rezidencës së ambasadorit të Turqisë në Uashington, gjatë vizitës së Presidentit turk Erdogan.
Shërbimi turk i Zërit të Amerikës e regjistroi në video skenën, ku forcat turke të sigurisë sulmojnë papritur protestuesit, duke i rrëzuar ata në tokë dhe duke i gjuajtur me shkelma, deri në momentin kur ndërhyri policia amerikane, që e largoi personelin turk të sigurisë.
Në video duket zoti Erdogan, që qëndron pranë një limuzine, duke parë përleshjet.
Protestuesit thanë se u sulmuan nga forcat turke të sigurisë, ndërsa ishin duke demonstruar në mënyrë paqësore. Turqia fajësoi për përleshjet demonstruesit, duke thënë se ata kishin provokuar në mënyrë agresive njerëzit e mbledhur për të parë Erdoganin.
Sigal