Konfirmohet vizita e liderit të Koresë së Veriut në Kinë, çfarë kushtesh parashtroi

584
Pas disa ditë spekulimesh konfirmohet se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka vizituar Kinën. Vizita e tij është konfirmuar si nga Kina ashtu edhe Koreja e Veriut. Sipas mediave kineze, biseda mes dy liderëve Kim Jong-un dhe Xi Jinping shkoi mjaft mirë.
Raportohet se lideri i Koresë së Veriut i ka siguruar homologut të tij kinez se është i përkushtuar për të hequr dorë nga armët bërthamore.
“Çështja e denukleraizimit të Gadishullit Korean mund të zgjidhet nëse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përgjigjen përpjekjeve tona me dëshirën e mirë për të krijuar një atmosferë paqeje dhe stabiliteti duke marrë masa e duhura për ta arritur këtë”, raportohet të ketë thënë Kim Jong-un.
Mes kushteve të Koresë së Veriut përfshihet edhe heqja e garancisë bërthamore nga ana e SHBA-së për Korenë e Jugut. Kina ka bërë të ditur se vizita nuk ishte zyrtare, ndaj dhe nuk njoftuan paraprakisht.
Kim Jong-un mbërriti në Kinë me një tren të ngjashëm me atë që përdorte babai i tij. Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut.
Kjo është vizita e parë e Kim Jong-un jashtë vendit që bëhet publike qëkur ka marrë detyrën në vitin 2011. Kim Jong-un pritet të takohet me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in në prill, dhe me Presidentin amerikan Donald Trump në maj.
Vizita e Kim Jongun në Pekin konsiderohet si një hap i rëndësishëm për përgatitjet e Penianit për bisedimet me Presidentin amerikan Donald Trump.
Sigal