Konfirmohet përhapja e virusit nga njeriu te njeriu, shënohet viktima e katërt në Kinë

214

Ka humbur jetën në Kinë edhe personi i katërt që ishte infektuar nga një virus misterioz. Autoritetet konfirmuan se virusi i ri mund të përhapet nga njeriu te njeriu, ndonëse deri tani besohej se ai po përhapet përmes kafshëve të sëmura.

Një burrë 89-vjeçar ishte viktima e fundit e virusit që e shkakton një lloj pneumonie. Ai jetonte në Wuhan, pikërisht në qytetin ku u shënuan rastet e para.

Më shumë se 200 raste të infektimit janë raportuar në qytetet kryesore të Kinës, përfshirë Pekinin dhe Shangain.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë konfirmoi të hënën se dy raste të infektimit në provincën Guangdong janë rezultat i përhapjes nga njeriu në njeri.

Në një deklaratë tjetër, Komisioni Komunal i Shëndetësisë në Wuhan njoftoi se së paku 15 punëtorë shëndetësorë janë infektuar me këtë virus, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike.

Të gjithë personat e infektuar po mbahen të izoluar gjatë trajtimit nëpër spitale.

Rasti i parë i këtij virusi u shënua në fund të vitit të kaluar në Wuhan, ku jetojnë 11 milionë njerëz.

Virusi tashmë është përhapur edhe jashtë Kinës. Dy raste janë shënuar në Tajlandë, një në Japoni dhe një tjetër në Korenë Jugore.