Komplikohet gjendja e Shumakerit nga një infeksion pulmonar

513
Sigal

FRANCE- Një infeksion pulmonar komplikon gjendjen e Michael Schumacher. Shtatë herë kampioni i botës në ‘F1’ ka 45 ditë në koma dhe javët e fundit mjekët e spitalit francez kanë filluar procesin e zgjimit, i cili është i vështirë dhe i komplikuar. Sipas asaj që raporton “Bild”, gjatë javës së kaluar Schumacher ka pasur një infeksion në mushkëri. Për momentin nuk mund të thuhet qartë për pasojat e këtij infeksioni në mushkëri dhe se sa mund të ndikojë ky problem në zgjimin e gjermanit. Por siç sqarojnë mediat gjermane, çdo infeksion është i rrezikshëm për një pacient në terapi intensive, sepse trupi është më pak i mbrojtur. Shefi i departamentit të mjekësisë në një klinikë në Hamburg sqaron pse ky infeksion pulmonar është mjaft i rrezikshëm për Schumin: “Infeksioni polmonar është zakonisht një sëmundje e rëndë dhe e rrezikshme, për shkak se trupi është më pak i furnizuar me oksigjen”. Por në lidhje me këtë lajm të publikuar nga “Bild”, menaxherja e Schumacherit është shprehur shkurt: “Të mos komentojmë spekullimet”. Raportohet se bashkëshortja shpenzon orë të tëra në ditë duke i folur Michael-it.