Kompania ajrore, Një vit pas dy incidenteve tragjike, Malaysia Airlines shpall falimentin

463
Një vit pas dy incidenteve me mbi 500 viktima, kompania e fluturimeve Malaysia Airlines ka shpallur falimentin.
Të paktën kështu ka deklaruar shefi i ri ekzekutiv i saj, Kristof Myler, sipas të cilit, rënia e performancës ekonomike të kompanisë ka nisur kohë përpara ngjarjeve tragjike.
Myler gjithashtu shpalli se në ristrukturimin e ri të kompanisë, që u shtetëzua vitin e kaluar, do t’u ofrohet një vend pune vetëm 14 000 punonjësve nga 20 000 që janë gjithsej të punësuar, duke ulur kështu stafin me 6000 vetë.
Ndërsa në 1 shtator, kompania do të ndryshojë edhe logo, ndërsa Myler nuk deklaroi nëse do të ketë edhe ndryshim të emrit.
Momentalisht linja aziatike vepron me fluturime të rregullta, por në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia e pakësimit të numrit të fluturimeve, sidomos drejt Europës.
Në mars të vitit të kaluar, fluturimi i Malaysia Airlines MH370 u zhduk në qiell të hapur me 239 pasagjerë ndërsa as trupat dhe as pjesë të avionit nuk janë gjetur ende.
Katër muaj më vonë, fluturimi MH17 që po udhëtonte nga Azia në Holandë, u rrëzua në hapësirën ajrore të Ukrainës me 298 pasagjerë në bord.
Për incidentin, qeveria ukrainase dhe rebelët separatistë pro-rusë fajsojnë njëri-tjetrin.
Dy fatkeqësitë vetëm sa rënduan edhe më tepër kompaninë që prej vitesh deklaronte humbje të mëdha financiare si pasojë e konkurencës së madhe në rajonin e Azisë dhe Paqësorit.
Sigal