Komisionieri Hahn zbulon planin: Ja për çfarë do të diskutojmë në samitin e Triestes për Ballkanin Perëndimor

450
Disa ditë pasi zyrtari amerikan Brian Hoyt Yee deklaroi se Ballkanit Perëndimor do t’i duhen 30 vjet për të hyrë në BE, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, jep sinjale të tjera. Në një intervistë për revistën “CorD”, referuar nga “B92”, Hahn deklaron se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i padiskutueshëm.

“Perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor është e padiskutueshme dhe e vendosur”, shprehet Hahn që shton se ky është një vullnet politik konsensual i liderëve të unionit.

Ai ka dalë hapur me idenë e një Hapësire Ekonomike Rajonale, e cila është propozuar nga presidenti serb Vuçiç në kuadër të Porcesit të Berlinit, duke nënvizuar se kundërshtitë e disa vendeve në rajon mund të provokojnë pakënaqësi me Berlinin.

“Në Trieste ne do të flasim për lidhjen ekonomike, si të thyejmë barrierat për tregëtinë, por edhe për investimet dhe biznesin. Koncepti i Hapësirës Ekonomike Rajonale do të japë shtysë të fortë për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit dhe do ta përgatisë Ballkanin Perëndimor për tregun e brendshëm”, shprehet Hahn.

Më tej komisioneri ka shprehur mendimin se propozimi gjerman Berlin Plus, për fonde shtesë për investime infrastrukturore ndërnacionale, është i mirë por financime të tilla nuk mund të kenë efekt pa reforma strukturore.

Procesi i Berlinit është sipas Hahn pjesë e rrugëtimit të çdo vendi në rajon drejt BE-së, duke i dhënë kështu nismës gjermane karakterin e një politike zyrtare të BE-së drejt rajonit tonë.

Anëtarësimi, shtoi Hahn, është çështje kriteresh të qarta dhe përmbushja e tyre nga vendet aspirante është kyçe për vetë kredibilitetin e procesit të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Çka në thelb duket sikur i jep të drejtë zyrtarit amerikan, i cili thjesht ishte më i hapur.
Sigal