Komisioni Europian, 1 miliard euro për projektet infrastrukturore për Ballkanin

681
Komisioni Europian pritet të disbursojë 1 miliard euro nëpërmjet bankave europiane për projekte infrastrukturore për Ballkanin, përfshirë Shqipërinë.
Kjo u njoftua nga kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, në forumin ekonomik në Delphi të Greqisë, i cili njihet si “Davos i vogël”, shkruajnë mediat vendase.
Nëse këto projekte do të ndërtohen, Ballkani do të shndërrohet në një nga zonat më konkurruese.
Borisov beson se Komisioni Europian duhet të zhvillojë kritere për të trajtuar borxhin në rritje të ekonomive të mëdha dhe të forta si Franca dhe Italia. Kjo është arsyeja pse Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, i cili hapi forumin në Delphi, bëri thirrje për këtë temë.
Borisov kujtoi se me Greqinë ka interesa strategjike për të lidhur linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë në portet në rajon, gjë që do ta bëjnë Ballkanin një nga rajonet më konkurruese.
Borisov theksoi se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe se procesi i integrimit të tyre duhet të jetë i pakthyeshëm, përndryshe perspektiva e të rinjve do të humbasë.
Sigal