Komandanti i ri i forcës së NATO-s në Kosovë: Ndikimi rus duhet verifikuar

622
Komandanti i ri i forcës së NATO-s në Kosovë sheh përparim të mirë të vendit, dhe është i bindur se forca e tij është e gatshme të përballet me sfidat e mundshme. Sakaq, rajonin ai e sheh si të gatshëm për paqe, ndërsa kërcënimet e jashtme, si ndikimi rus, apo edhe prej ekstremizmit e radikalizmit fetar, nuk i duken të papërballueshme nga Kosova. Por, thekson se për çdo rast KFOR-i është ende këtu, dhe largimi i forcës nuk është ende në planet e NATO-s, meqë kushtet për një gjë të tillë nuk janë përmbushur ende.
Gjeneralmajori italian, Salvatore Cuoci, ka folur hapur në një intervistë me “Kohën Ditore” për vizionin e tij të mandatit që ka në krye të forcës paqeruajtëse, si dhe për çështjet me të cilat ai dhe forca e tij përballen. Cuoci ka thënë se transformimi i FSK-së në një ushtri është çështje politike dhe se vendimi u takon institucioneve të Kosovës, por ka theksuar se një gjë e tillë duhet bërë në mënyrë kushtetuese dhe duke ruajtur përbërjen multietnike të forcës.
I pyetur për ndikimin dhe praninë ruse në rajon, Cuoci nuk shpreh shqetësim, duke thënë se aktivitetet ruse, nëse janë humanitare, nuk përbëjnë problem. Por ai ka theksuar se KFOR-i dhe NATO-ja do ta verifikojnë nëse prania e Moskës në fqinjësinë e Kosovës, para së gjithash në Serbi, shkon përtej aktiviteteve humanitare.
Cuoci ka lavdëruar Kosovën për luftimin e ekstremizmit, ndërsa ka theksuar se në rast trazirash në vend, KFOR-i i ka planet e gatshme për të ndihmuar institucionet e Kosovës që të përballen me çdo lloj problemi.
Sigal