Koalicioni në Gjermani, Merkel: E gatshme për të negociuar me socialdemokratët

597
Angela Merkel konfirmoi gatishmërinë e kampit të saj konservator për të diskutuar seriozisht me socialdemokratët për të formuar një qeveri në Gjermani duke argumentuar kryesisht pritshmëritë mjaft të mëdha në Evropë kundrejt vendit.
“Jemi të gatshëm për të nisur bisedimet me SPD-në”, deklaroi Merkel pas hapjes së dritës jeshile nga partia e saj CDU për të propozuar nisjen e bisedimeve me SPD, me të cilën ajo ka qeverisur tashmë dy mandate (2005-2009, më pas 2013-2017).
Kjo aleancë është ende e vetmja mundësi për të formuar një shumicë në Dhomën e Deputetëve dalë nga zgjedhjet parlamentare të shtatorit, pas dështimit të një përpjekje për koalicion mes konservatorëve, liberalëve dhe ambjentalistëve.
Merkel premtoi negociata “serioze” dhe “gjithëpërfshirëse” që duhet të synojnë ”suksesin”.
“Tashmë ka një propozim për bisedime në tryezë dhe ne po e marrim shumë seriozisht”, shtoi kancelarja.
Konteksti ndërkombëtar dhe evropian duhet në këndvështrimin e tyre të nxisë partitë gjermane për të vepruar shpejt.
“Ka pritshmëri të mëdha në Evropë për çështje urgjente”, vlerësoi ajo.
Evropianët presin që Berlini të vetëpozicionohet dhe të nxjerrë konkluzione kryesisht pas propozimeve të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dhe atyre të kreut të shtetit francez për rinisjen e projektit evropian.
Sigal