Kina thirrje SHBA-së e Koresë së Veriut të ulen urgjentisht në bisedime

499
Ndërsa tensioni në Gadishullin Korean vazhdon të rritet pas lançimit të një sateliti në hapesirë nga qeveria e Penianit, ministria e Jashtme kineze i ka bërë thirrje SHBA dhe Koresë së Veriut të ulen urgjentisht në bisedime për të gjetur një zgjidhje.
Deklarata është bërë nga zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei, i cili ka shprehur gjithashtu shqetësim për planet e Uashingtonit dhe Seulit për të vendosur një sistem mbrojtës raketor.
“Çështja bërthamore në gadishull është mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut që të ulen dhe të nisin negociatat për të zgjidhur këtë shqetësim me njëri-tjetrin në mënyrë të arsyeshme.”
Një javë më parë, Koreja e Veriut lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi, që e quajtën satelit për qëllime paqësore por Seuli dhe Uashingtoni kanë thënë se janë shkelur rezolutat e OKB-së për shkak se është përdorur teknologjia e raketave balistike.
Ndërkohë, Kina vijon t’i qëndrojë deklaratave të saj se sanksionet e vendosura nga SHBA për Korenë e Veriut nuk e zgjidhin problemin, ndaj ka kërkuar të rinisin negociatat. Bisedimet e fundit mes dy shteteve janë zhvilluar në vitin 2008.
Situata është përkeqësuar pas mbylljes disa ditë më parë edhe të një kompleksi industrial në Kaesong nga pala koreano jugore.
Sigal