Kina e Rusia të shqetësuara për testin e raketës së Koresë së Veriut

561
Kina dhe Rusia kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe kanë dënuar testin e raketës balistike të Koresë së Veriut, duke i kërkuar palëve të përfshira të shmangin përshkallëzimin e tensioneve.
Ky reagim vjen pasi Koreja e Veriut deklaroi se kishte testuar në mënyrë të suksesshme një raketë balistike, në një hedhje të mbikëqyrur nga lideri Kim Jong-un.
Agjensia shtetërore e lajmeve e përshkroi pajisjen e hedhur në Detin e Japonisë si një raketë balistike me shtrirje të gjatë, ndërkohë që ministria e mbrojtjes e Koresë së Jugut e konsideroi këtë si një provokim të armatosur për të testuar përgjigjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Edhe testi i fundit koreanoverior u kritikua gjerësisht nga fqinjët jugorë dhe fuqitë perëndimore. Shtetet e Bashkuara, Japonia e Koreja e Jugut kanë kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar mbi incidentin.
Sipas agjensisë shtetërore të lajmeve, lideri Kim Jong-un ka shprehur kënaqësi të madhe mbi testin e hedhjes, që sipas tij, i është shtuar pushtetit madhor të vendit.
Rezolutat e Kombeve të Bashkuara i kanë ndaluar Koresë së Veriut të kryejnë testime të raketave balistike – pjesë kjo e përpjekjeve për të shmangur kthimin e këtij vendi në një fuqi të plotë nukleare.
Sidoqoftë, lideri Kim Jong-un paralajmëroi që në janar se ushtria e tij ishte gati të testonte raketa, eksplozivët e të cilave mund të mbërrinin deri në Shtetet e Bashkuara.
Në atë kohë, Trump e konsideroi këtë pretendim si diçka që nuk do të ndodhte.
Në një vizitë në Korenë e Jugut, javën e kaluar, sekretari amerikan i mbrojtjes James Mattis tha se çdo përdorim i armëve bërthamore nga Koreja e Veriut do të përballej me një përgjigje efektive dhe dërrmuese.
Ai gjithashtu rikonfirmoi planet për të vendosur një sistem amerikan të mbrojtjes nga raketat në Korenë e Jugut, më vonë gjatë këtij viti.
Sigal