Kim Jong Un “shtyn” planet për hedhje raketash në Guam

151
Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, tha se udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, mori raportet e ushtrisë së tij për planet e një sulmi përreth Guamit, një territor amerikan në perëndim të Oqeanit Paqësor. Kim tha se do të ndjek për një kohë më të gjatë veprimet e Shteteve të Bashkuara para se të marrë një vendim.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut urdhëroi ushtrinë që të jetë në gjendje gatishmërie nëse ai merr një vendim për të vepruar, thuhet në raportin e KCNA-së.
“Shtetet e Bashkuara, që ishin të parat që kanë nisur një numër të pajisjeve bërthamore afër nesh, duhet të marrin vendimin e duhur dhe të dëshmojnë përmes veprimeve se kanë vullnet për uljen e tensioneve në gadishullin korean, në mënyrë që të shmanget ndonjë përplasje ushtarake e rrezikshme”, citohet të ketë thënë Kim.
Njoftimet pasuan paralajmërimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Jim Mattis, ndaj Koresë së Veriut, i cili tha se çdo përpjekje për të hedhur raketa në tokën amerikane “mund të përshkallëzohet shumë shpejt në luftë”.
Duke folur me gazetarët në Pentagon, Jim Mattis tha se “ju nuk i qëlloni njerëzit përderisa nuk jeni të gatshëm të merrni përsipër pasojat”.
Mattis kërkoi të zbuste shqetësimet pas kërcënimeve të mëhershme të Koresë së Veriut për të nisur raketat në drejtim të Guamit.
Ai tha se sistemet e vëzhgimit të raketave në SHBA, mund të përcaktojnë nëse ndonjë e tillë është nisur nga Koreja Veriore drejt tokës amerikane.
Sekretari Mattis tha se Washingtoni preferon zgjidhje diplomatike të dallimeve me Pheninanin.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes për të ndryshuar regjimin apo për të përshpejtuar ribashkimin e Koresë” shkroi ai Wall Street Journal bashkë me sekretarin amerikan të shtetit Rex Tillerson. “Nuk po kërkojmë një arsyetim për të vendosur trupat amerikane në veri të zonës së ç’militarizuar”. thuhet në shkrimin e botuar të hënën.