Kim Jong Un emëron të motrën në Byronë Politike, por analisti paraqet skenarin e pazakontë

504
Udhëheqësi i Koresë së Veriut ka emëruar motrën e tij në strukturën më të lartë të pushtetit komunist.
Gjatë një takimi të Komitetit Qendror, Kim Yo Jong u caktua anëtare plotësuese e byrosë politike që është forumi më i lartë vendimmarrës dhe që kryesohet nga vetë Kom Jong Un.
Michael Madden, ekspert për Korenë e Veriut në Universitetin Johns Hopkins, thotë se kjo dëshmon që përgjegjësitë e së motrës janë shumë më thelbësore se sa mendohej më parë dhe se familja Kim ka konsoliduar më tej pushtetin.
Një analist paraqet një skenar të pazakontë për Korenë e Veriut
Ndërkohë, botuesi i një reviste për politikat globale ka paraqitur një skenar sipas së cilit Kina do të orkestronte një aneksim të Koresë së Veriut, duke i dhuruar kështu Uashingtonit dhe botës një Gadishull Korean pa armë bërthamore.
Bill Emmott, ish-kryeredaktor i revistës “The Economist”, thotë se një lëvizje e tillë jo vetëm që do të konsolidonte praninë e Pekinit në Gadishullin Korean, por do të shtonte edhe mundësinë për forcimin e pozitës gjeopolitike të Kinës, duke rritur statusin e saj si një fuqi globale, madje duke i ofruar edhe mundësinë e reputacionit të një fuqie që vendos paqen.
Sipas Emmott, kjo është “e keqja më e vogël” ndër opsionet ushtarake për Korenë e Veriut, pasi do të shmangte hakmarrjen shfarosëse të Koresë së Veriut ndaj vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara në Azi, në veçanti ndaj Koresë së Jugut dhe Japonisë.
Emmott mendon se marrja e Koresë së Veriut nga Kina, do ta rikthente atë vend në “pozitat historike të periudhës së pas Luftës Koreane, nën një ombrellë kineze dhe duke përfituar nga avantazhet e sigurisë që ajo ofron”.
Ai thotë se mendon se ky skenar ofron përfitime edhe për koreanoveriorët, pasi “një konflikt bërthamor me SHBA-në do të ishte shkatërrues, ndërsa një vasalitet ndaj Kinës do të ofronte mbijetesë dhe një nivel autonomie”.
Emmott thotë se ky skenar do të mbështetej nga shumica e ushtarakëve të Koresë së Veriut, përjashtuar ata që janë shumë pranë Kim-it.
Përfituesja më e madhe nga kjo lëvizje do të ishte megjithatë Kina.
Emmott thotë se Kina do të përfitonte “jo vetëm kontrollin mbi zhvillimet në Gadishullin Korean, ku ndoshta do të vendoste bazat e saj ushtarake, por do të përfitonte edhe mirënjohjen e vendeve të rajonit për parandalimin e një lufte katastrofike bërthamore”.
Gjithashtu, një fushatë e suksesshme ushtarake do t’i jepte Kinës “kapacitete të jashtëzakonshme ndikimi”, përfshirë aftësinë për të ndikuar zhvillimet e ardhshme në rajon dhe më gjerë.
Dëshira e Uashingtonit për t’u siguruar se Korea e Veriut nuk do të posedojë armë bërthamore i ofron Kinës, e cila perceptohet gjerësisht si rivalja kryesore gjeopolitike e Amerikës, mundësinë më të mirë për të siguruar një paritet strategjik me SHBA-në në rajonin Azi-Paqësor, duke eliminuar njëkohësisht “një burim paqëndrueshmërie që kërcënon Uashingtonin dhe Pekinin njëkohësisht”, thotë zoti Emmott.
Ai pranon se “çfarëdolloj ndërhyrjeje ushtarake, nga Kina apo kushdo tjetër, do të mbarte rreziqe të mëdha”.
Rezerva për teorinë e kalimit të kontrollit të Phenianit nga Kina
Disa studiues ngrenë ndërkohë pikëpyetjen se si Kina do ta merrte Korenë e Veriut pa rrezikuar të goditet vetë me armë bërthamore.
Evans J.R. Revere, studiues i politikës së jashtme në Institutin Brookings në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se “nuk mundem ta imagjinoj opsionin që Korea e Veriut t’i nënshtrohet parimit të dominimit kinez, në veçanti në formën që përshkruan autori”.
Revere, ish-zyrtar i Departmentit të Shtetit, shton se “megjithë çfarë mund të thuhet për Korenë e Veriut, thelbi i përqasjes së saj ndaj botës është nacionalizmi i saj me fanatizëm të zjarrtë, si dhe besimi në një koncept superioriteti racor të sistemit të saj”./voa/
Sigal