Kim Dotcom: Hillary është në telashe të mëdha

11

Ai njihet si një ndër piratët kibernetikë më të famshëm dhe më të pasur në planet, themeloi Megaupload dhe së fundmi rikthehet në qendër të vëmendjes së mediave për një deklaratë të bërë në rrjetet sociale në lidhje me e-mailet e Hillary Clinton.

Kim Dotcom ka paralajmëruar kandidaten demokrate se ndodhet në telashe të mëdha, duke lënë të kuptohet se Wikileaks mund të publikojë të tjera mesazhe nga posta e saj elektronike, përfshirë këtu edhe 33 mijë që janë fshirë.

“Ka materiale të tjera ende të papublikuara, që pritet të bëhen publike në vazhdim. Clinton është në telashe të mëdha”, shkruan ai në Twitter.

Më herët, Kim Dotcom ka lënë të kuptohet se Wikileaks zotëron 33 mijë mesazhet e fshira, të pranuara nga Clinton, por që kandidatja demokrate thotë se ishin personale dhe nuk kishin lidhje me punën e saj si Sekretare e Shtetit. Ai ka postuar edhe një guidë sesi të sigurohen edhe në rrugë ligjore mesazhet e fshira nga kandidatja demokrate për Presidente.

“Janë të gjitha të regjistruara në serverat e NSA-së në Utah. Senati dhe Kongresi mund t’i kërkojnë këto e-maile nga NSA”, thotë ai.

Kim Dotcom, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 200 milionë dollarë, është shpallur në kërkim nga drejtësia amerikane për shkelje të të drejtës së autorit që me të famshem Megaupload, e mbyllur prej kohësh.