Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan: Janë të turpshme debatet politike që bëhen në Shqipëri

385
Sigal

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) bën thirrje që t’i jepet fund polarizimit shkatërrues politik në Shqipëri dhe kërkon që qeveria dhe opozita të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të mund të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Qeveria shqiptare, e zgjedhur nga populli, ka përgjegjësinë e saj për të udhëhequr vendin drejt BE-së; të përmirësojë ekonominë; dhe të forcojë sundimin e ligjit. Në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, liderët politikë në qeveri dhe në opozitë duhet të jenë të gatshëm të negociojnë për reforma ligjore dhe të luftojnë korrupsionin së bashku. Demonstratat, grevat e urisë, akuzat për korrupsion, dhe zënkat me grushte në parlament i përkasin së kaluarës.

Shqipëria ka nevojë për një dinamikë të re politike, ku përmirësimi i jetës së qytetarëve është më i rëndësishëm se zgjidhja e debateve politike dhe personale. Përveç kësaj, KKSHA u bën thirrje anëtarëve të parlamentit që të përmbahen ndaj incidenteve fizike dhe akuzave personale gjatë seancave parlamentare. Kjo lloj sjellje, jo vetëm që është e turpshme për t’u shikuar në televizion, por ajo është edhe shkatërruese, sepse pengon dialogun dhe mirëkuptimin.

Pas 50 viteve komunizëm dhe 25 vjet tranzicioni të zgjatur në demokraci, populli i Shqipërisë meriton më të mirën nga udhëheqësit e tyre politikë. Shqipëria ka burime të jashtëzakonshme natyrore, një rini të gjallë dhe të talentuar, por për fat të keq progresi i saj është duke u penguar nga një dinamikë e padobishme politike, nga ata që populli i ka besuar se do t’i sigurojë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre dhe ata vetë.