Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Ka plane për të sulmuar liderët politikë, jo objektet fetare

548
Një ditë pasi kryeministri Isa Mustafa njoftoi se mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës është konfirmuar se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues. Në njoftim bëhet e ditur se grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës.

Njoftimi: 
“Pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, Këshilli për Siguri i Kosovës informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues.

Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës.

Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës.

Institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale.

Këshilli për Siguri i Kosovës konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe shoqëria civile. Ndërkaq, organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë.
Sigal